
Kryetari Xhemaili është shprehur se veprat publike kapitale, në këtë vit kanë pasur dinamikën rekorde të realizimit. Janë kryer në tërësi mbi 92% e projekteve të planifikuara për realizim në këtë vit.”Veprat publike të realizuara në vitin 2011, janë vazhdimësi e zotimit që kemi dhënë për përmbushje të ciklit të infrastrukturës bazike brenda mandatit qeverisës dhe rezultatet flasin që jemi në dinamikën e planifikuar, me tendenca edhe të tejkalimit të saj. Me fanatizëm jemi duke kultivuar projektet dhe veprat publike të fushës ambientaliste, derisa kemi vazhduar me investime cilësore në sferën e arsimit, shëndetësisë, rrugëve, sistemeve të kanalizimit e ujësjellësit etj. Kemi kryer vepra publike të financuara apo në bashkëfinancim me donatorët”, ka potencuar këtë fakt Xhemaili, duke shtuar se në vitin 2012, ka marrëveshje me donatorë për realizimin e veprave publike në shumën prej rreth 7 milion euro.”Marrë në përgjithësi, viti që po e lëmë, sipas parametrave të argumentuar bindshëm, lirisht mund quhet si –vit i efikasitetit në të gjitha sferat. Gjatë vitit 2011, po ashtu kemi vazhduar me klimën politike e ndërpartiake konstruktive, me të gjitha elementet e një konsensusi demokratik në aprovimin dhe realizimin e veprave në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë”, tha Xhemaili.

Ndërsa sa i përket sfidave me të cilat është përballur këtë vit Komuna e Ferizajt, Xhemaili ka theksuar atë të sferës sociale.”Por edhe në këtë vit kemi pasur sfidat me të cilat jemi ballafaquar, të cilat i përkasin sferës sociale dhe të cilat është vështirë të gjejnë zgjidhje në afat të shkurtë. Komuna ka bërë përpjekje të mëdha në zbutjen e gjendjes sociale për shumë familje, por, sigurisht që ato nuk kanë qenë të mjaftueshme. Besoj që mund ta themi me gëzim që brenda vitit vijues, dhjetëra familje ferizajase me gjendje të rëndë, do ta sigurojnë strehën e banimit në objektet e banimit kolektiv dhe shtëpitë e ndërtuara nga komuna”, është shprehur Xhemaili.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka theksuar se marrë në tërësi, si Qeveri lokale mund të deklarojmë se viti 2011, është vit i realizimit të të gjitha synimeve të planifikuara sipas limiteve buxhetore.”Ndërsa, me strukturën e buxhetit të aprovuar për vitin në vijim, do të jemi edhe më afër përmbushjes së zotimeve tona qeverisëse. Le të jetë ky një moment i ftesës për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha kategoritë e fokusit të komunës sonë, që edhe në të ardhmen të jemi bashkë në të gjitha aktivitetet për rritjen e cilësisë së jetës sonë dhe të zhvillimit të Komunës sonë në përgjithësi”, ka përfunduar Xhemaili.
Kryetari Xhemaili, me këtë rast ka uruar edhe të gjithë qytetarët me rastin e festës se Vitit të ri.
Viti 2011, për Komunën e Ferizajt, do të mbetet një vit i kualiteteve të reja në qeverisje.