Në kuadër të vizitave që ka filluar të bëjë kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, nëpër qytet, por edhe në fshatra, ai është takuar me qytetarë në Shkollën Fillore “Astrit Bytyqi”, me banorët e zonës së tretë , si dhe në Shkollën Fillore “Ganimete Tërbeshi”, me banorët e zonës së katërt të qytetit.
Me këtë rast kryetari Xhemaili, u ka thënë qytetarëve se kjo është një formë shumë e mirë që të dëgjojë hallet dhe problemet e tyre në mënyrë që gjatë hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2012 të ketë parasysh edhe kërkesat e banorëve të këtyre zonave të qytetit.” Unë së bashku me drejtorin e Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit , Ardian Ferizin, pothuajse i dimë të gjitha problemet , por shumë më mirë është që të dëgjojmë edhe ato halle nga vet ju. Ne kemi zgjedhur këtë formë të komunikimit shumë të mirë që ne te jemi sa më afër qytetarëve”, ka thënë Xhemaili.
Por, banorët e këtyre zonave kanë qenë ata të cilët kanë falënderuar të parin e Ferizajt, Bajrush Xhemailin, që po del dhe po bashkëbisedon me ta. Ata para drejtuesve të qeverisë lokale kanë paraqitur shumë halle dhe probleme. Banorët e zonës së tretë të qyteti takimi i cili u mbajt në Shkollën Fillore”Astrit Bytyqi”, kërkonin nga komuna që të bëjë vendosjen e një trafo elektrike për shkak të rrjetit shumë të dobët të energjisë elektrike.”Kërkojmë nga ju që të na ndihmoi diçka për rrymë me naj trafo, për shkak se gjatë mbrëmjes kemi shumë pak rrymë, ky problem është edhe në shkollën e fshatit edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që kemi bërë në KEK”, është shprehur Behar Ferizi, qytetarë i kësaj pjesë të qytetit.
Nezir Elezi , në këtë takim ka shtruar kërkesën që në rrugën “Hasan Prishtina”, të bëhet rregullimi i trotuareve, për shkak se një gjë e tillë mungon dhe çdo ditë fëmijëve të asaj zone po u shkaktohet rrezik i madh.
Një tjetër qytetarë ka kërkuar që të kenë më shumë ujë të pijshëm.”Te na pika ujit nuk vjen. Që pesë ditë ne çezmën tonë ska rrjedh pikë uji nga rrjeti ujësjellësit. Jemi anku ata thonë vina sot vina nesër e ska ujë”,ka thënë ai Fatmir Ferizi.
Ndërkaq , Naim Emini imami i xhamisë, ka kërkuar nga kryetari Xhemaili, por edhe drejtori i Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit, Ardian Ferizi që të bëjë të mundur që në qendrën 2 të Mjekësisë Familjare të fillojë së funksionuar edhe kujdestaria e natës.
Ndërsa, Skënder Ferizi një qytetarë tjetër ka theksuar se zonës ku ai i përket asaj të katër është një rrugë që ende nuk ka rrjet të kanalizimit, por as të ujësjellësit.
Kërkesave të qytetarëve më pas i është përgjigjur kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, por edhe drejtori i Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit, Ardian Ferizi. Ata kanë thënë se të gjitha këto kërkesa do të futen në projekt- buxhetin e vitit 2012, ndërsa Kuvendi i Komunës është i cili jep dritën jeshile për realizmin e këtyre projekteve.
Këtë të mërkurë kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili si dhe drejtori i Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit, Ardian Ferizi, në ora 16:00 në objektin e shkollës se re në lagjen e Omurajve do të takohet me banoret e fshatit Gaçkë, Greme dhe Burrnik. Ndërsa nga ora 18:00 në objektin e shkollës fillore në Zaskok, do të mbahet takim me banorët e fshatit: Doganaj, Zaskok dhe Pleshinë.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, bisedoi me banorët e pjesës së tretë dhe të katërt të qytetit.