Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) dhe Komunës së Ferizajt, sot është realizuar një vizitë pune lidhur me menaxhimin e projekteve arkitektonike, me përfshirjen aktive të studentëve të USHAF-it. Këta të fundit në këtë takim janë pritur nga drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, si dhe drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini.
Në këtë takim, një kontribut të veçantë dha arkitekti shqiptar Bujar Demolli, i cili në cilësinë e ligjëruesit mysafir (guest lecturer) në USHAF ndau përvojën e tij profesionale nga Zvicra, duke ofruar perspektiva bashkëkohore në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban.
Gjatë diskutimeve u trajtua rëndësia e bashkëpunimit me gjeneratat e reja të arkitektëve, si dhe nevoja për ndërhyrje të mirëfillta në planifikimin urbanistik, me synim transformimin e Ferizajt në një qytet modern të konceptit “Smart City”.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Bujar Jashari, theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e studentëve në projekte konkrete është thelbësore për përgatitjen profesionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm urban të qytetit.
Në takim morën pjesë edhe prorektori Kushtrim Çukaj, si dhe studentët e Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit.
Takimi u karakterizua nga një diskutim interaktiv, ku u shkëmbyen pyetje dhe përgjigje të shumta lidhur me planifikimin urbanistik, menaxhimin e projekteve dhe aspektet e mbrojtjes dhe sigurisë në punë.