Nga 87 projekte të ndryshme infrastrukturore, të Komunës së Ferizajt, që ishin planifikuar të realizoheshin këtë vit, shumica nga to kanë përfunduar me përjashtim të 10 prej tyre. Ardian Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim, ka thënë se projektet e mbetura priten të realizohen në pranverën e vitit të ardhshëm. “Të gjitha projektet që kanë mbetur për vitin e ardhshëm, janë nga të hyrat vetanake dhe janë projekte të cilat nuk rrezikohen. Mbi 75 projekte tanimë në komunën tonë kanë filluar dhe kanë përfunduar po këtë vit”, ka thënë Ferizi, duke bërë të ditur, se projektet e realizuara ishin të natyrave të ndryshme, si asfaltime të rrugëve, intervenime në kanalizim, ujësjellës, rrugë të shtruara nëpër fshatra e qytet, renovime të shkollave, etj. “Mbi 20 shkolla janë renovuar, janë rregulluar edhe rrethojat e tyre dhe janë ndërtuar edhe 2 shkolla të reja. Pra ishin rreth 24 projekte në arsim”, ka thënë Ferizi.
Ndërsa sa i takon ujësjellësit, Ferizi ka thënë se kanë disa projekte tjera që planifikojnë t’i bëjmë me qeverinë zvicerane në mënyrë që të gjitha fshatrat e Komunës së Ferizajt, të kenë ujë të pishëm. Ferizi, gjithashtu ka bërë të ditur se këtë vit kanalizimi është punuar në 7 fshatra të Ferizajt ndërsa vitin e ardhshëm pritet në punohet në 8 fshatra por do të bëhen edhe disa intervenime të tjera. “Deri në vitin 2012 planifikojmë t’a përmbyllim fazën e parë të kanalizimeve. Ndërsa faza e dytë, do të jetë ajo e kolektorëve dhe faza e impiantit”, ka thënë Ferizi, duke bërë të ditur se ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza është një projekt shumë i madh, dhe ende janë në diskutime dhe janë duke e punuar një strategji për Komunën e Ferizajt sa i takon trajtimit të ujërave të zeza, atyre atmosferik si dhe ujësjellësit. “është projekt i cili kërkon miliona euro investim, por ne jemi duke e punuar një strategji dhe me të përfunduar strategjia do të bëjmë edhe fiziobilitetin. Mendojmë që do t’a bëjmë duke marrë donacione për t’a përfunduar”, ka thënë Ferizi.
Vlera e investimeve kapitale për këtë vit, u bë e ditur se ishte 5 milion e 800 mijë euro. Ndërsa për dallim nga viti i kaluar që kishin mbetur 17 projekte të papërfunduara, këtë vit janë vetëm 10 dhe synohet që vitin tjetër të mbesin edhe më pak.
Ardian Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim, ka thënë se vetëm 10 projekte infrastrukturore nga 87, sa ishin të planifikuar të realizoheshin këtë vit në Komunën e Ferizajt, mbesin për pranverën e vitit të ardhshëm.