Për këtë projekt, qeveria zvicrane ka ndarë një shumë prej 3 milion eurove, ndërsa pjesëmarrëse në projekt është edhe qeveria e Kosovës dhe komuna e Ferizajt. Ndonëse ky projekt po zhvillohet në faza, sot ka nisur vendosja e rrjetit në rrugën "Agim Ramadani".Me këtë rast është thënë se ky dhe projektet tjera synojnë të zvogëlojnë humbjet e ujit në rrjet, duke mundësuar kështu rritjen e sasisë së ujit për konsumatorët me një cilësi më të mirë.
Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim, Ardian Ferizi, ka falënderuar me këtë rast donatorin, qeverinë zvicrane , duke thënë se ky është një projekt i përbashkët i shtrirjes dhe rehabilitimit të rrjetit të ujësjellësit. Sipas tij, ky projekt pritet të përfundoi ka fundi i vitit, ndërsa përfitues janë banorët e pjesës lindore të Ferizajt.
Filip Derungs, nga Holding GBR AG, ka thënë se projekti i nisur sot është vetëm një komponentë e një projekti që po zhvillohet në faza. Ai ka thënë se krahas këtij projekti, qeveria zvicrane do të implementoi edhe një program të faturimit dhe kontabilitetit për ndërmarrjen "Bifurkacioni".
"Këto dy komponenta e plotësojnë njëra tjetrën dhe synimi kryesor është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijes por edhe zvogëlimi i humbjeve teknike" ka thënë Derungs, për të shtuar se vetëm në komunën e Ferizajt dhe të Gjilanit, qeveria zvicrane do të investoi 5 milion euro."Planifikojmë edhe ngritjen e një rezervuari të ujit në Gjilan" theksoi Derungs.
Për më tepër , mësohet se rreth 1500 banorë të kësaj zone, për herë të parë do të bëhen me rrjet të ujësjellësit. Drejtori i KRUK "Bifurkacioni", Faton Frangu, ka thënë se ky projekt do të ndikoi dukshëm në zvogëlimin e humbjeve teknike."Tashmë humbjet i kemi në masën 50% , zvogëlimi tyre, dukshëm do të përmirësojë furnizimin me ujë për banorët e kësaj zone" ka thënë Frangu.
Ndryshe, qeveria zvicrane, ka bërë investime të dukshme në komunën e Ferizajt. Krahas rehabilitimit të Fabrikës së ujit në Pleshinë, po ndihmon edhe në rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit. Komuna së bashku me kompaninë "Bifurkacioni" është duke bërë përpjekje që të gjejë burime alternative të furnizimit, për të cilat drejtori Frangu, thotë se po punohet në një projekt të eksploatimit të ujit nëntokësor dhe ndërtimit edhe të një fabrike tjetër të ujit.
Ka filluar implementimi i projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujësjellësit për pjesën lindore të qytetit të Ferizajt, i cili përfshinë edhe vendosjen e rrjetit të ri në disa rrugë që më parë nuk kanë qenë të kyçura në rrjet.