Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtoret e tij, ka qëndruar për vizitë në ambientet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, për të uruar udhëheqësit e këtij komuniteti për festën e madhe të Fitër Bajramit.
“Është një ftesë jashtëzakonisht e rëndësishme për bashkësinë myslimane. Përmes këshillit të Bashkësisë Islame dhe kryetarit të saj, ne deshëm që të urojmë të gjithë qytetarët në mënyrë që sakrifica e tyre e agjërimit, të shprehet në forma të ndryshme të bashkëpunimit, solidaritetit, humanizmit me te tjerët që kanë nevojë, në mënyrë që të ketë sa më shumë shtrëngim duarsh, sa më shumë dashuri, në mënyrë të jemi më të afërt më të tjerët, sepse vetëm të bashkuar, ne mund të ecim për para, të realizojmë synimet tona. Është një moment i rëndësishëm që në këtë festë të veçantë, të jemi me shpirt dhe me mendje tek ata njerëz që rreth sofrës së tyre nuk i kanë të dashuritë tyre, ata që janë sakrifikuar për lirinë e Kosovës”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërsa, kryetari i BI-së në Ferizaj, Bujar Hasani , e ka falënderuar kryetarin Svarqa për vizitën, derisa është shprehur se festa e Fitër Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Zotit.
Mes kryetarit Svarqa, dhe kryetarit të BI-së Bujar Hasani, janë biseduar edhe çështje të shumta sa i përket fushës së bashkëpunimit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është pritur nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, Bujar Hasani, për t’ua uruar festën e Fitër Bajramit