
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, pasi i ka falenderuar këta të rinj për kontributin e tyre në fushën e vullnetarizmit, ka thënë se organizata qeveritare e joqeveritare e kultivojnë punën vullnetare prej një kohe të gjatë me qëllim që të ndihmojnë ata që kanë nevojë, ose bëjnë punë me përfitime shoqërore.
"Ndjenja e vullnetarizmit ka të bëjë me ndjenjën e altruizmit, me ndjenjën e bamirësisë. Kur njeriun e shoqëron një ndjenjë e tillë, ai bëhet më mirëkuptues, më dashamirës i njerëzve, më shoqëror dhe më human. Ndaj, vullnetarët gjithnjë i shoqëror ndjenja e përgjegjësisë njerëzore për hallet, vuajtjet e vështirësitë e të tjerëve si individë, si shtresa ose si shoqëri në tërësi. Këtë ndjenjë më së miri e kuptojnë ata që kanë dhënë e japin kontribut në mirëqenien e të tjerëve në çfarëdo mënyre", ka thënë Svarqa, teksa ka spikatur vullnetarizmin si koncept human i të kuptuarit të jetës së shoqërisë.
"Aq më fisnik bëhet angazhimi vullnetar kur këtë e bëjnë të rinjtë. Duke jetuar një jetë gjithnjë e më dinamike, me plot ngushtica, strese, kërkesa e detyrime gjithnjë e më të shumta, mjaft të rinj, megjithatë gjejnë kohë, kurajo e gatishmëri për të bërë punë vullnetare, në të mirë të bashkëqytetarëve tanë. Ky aktivitet është për t’u lavdëruar pa rezervë e me kënaqësi dhe për t’u shpërblyer me mirënjohje", ka thënë Svarqa.
Për më tepër në këtë ditë ndërkombëtare të punës vullnetare 14 të rinj nga Ferizaj kanë marr librezat e vullnetarit me zotimin se do të jenë përkrah atyre që kanë më së shumti nevojë. Këto çmime i ka ndarë një komision miks i përbërë prej aktivistëve të shoqërisë civile, ndërsa është thënë se arsyet se pse njerëzit e zgjedhin këtë profesion janë të shumta duke u nisur nga nevoja për t’i ndihmuar të tjetërt për një kauzë dhe për të përmirësuar jetën e të tjerëve.
Shpërblehen më të mirët për vullnetarizëm dhe aktivitet rinore.