Kryeprojekti infrastrukturor për shëndetësinë lokale, ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, tash e sa kohë ka marr formën, duke ngritur çdo ditë shtatin me punë e dinamikë të jashtëzakonshme. Për të vizituar punimet në këtë projekt, doli vet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, bashkë me deputetin Elmi Reçica, ish Kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemaili si dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Dr. Basri Sejdiu.
Nikoqiri, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke shprehur falënderimin për mbështetjen e parezervë e të kudondodhur për këtë projekt tha se jo vetëm ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal, që siç e quajti ai është kthim i drejtësisë në vend, por edhe projekte të tjera në infrastrukturën e shërbimet shëndetësore janë ato që kanë lidhur dhe do ta lidhin Ferizajn me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin Ismaili, i cili gjatë gjithë funksionit të tij, mbështeti parezervë fuqizimin dhe avancimin e shëndetësisë ferizajase.
“Kjo nisi një vit më parë me ministrin Uran Ismaili dhe deputetët tanë këtu, për të dëshmuar seriozitetin, përkushtimin, gatishmërinë për t’i vënë pikën, projekteve që ishin të munguara dhe të domosdoshme, për të krijuar shërbime më të mira për pacientët dhe për të krijuar kushte më të mirë për punëtorët shëndetësor. Sigurisht se kjo nuk do të ishte e mundur pa vendosmërinë, pa qasjen e duhur të institucioneve, respektivisht të njerëzve përgjegjës të institucioneve për t’i dhënë dimension tjetër qasjes dhe punës, prandaj vërtet ndihem falënderues ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit Uran Ismaili, deputetëve tanë që kanë lobuar vazhdimisht që ky projekt të sheh ditën e realizimit, pas më se dy dekadash përpjekjesh dhe shumë përpjekjeve tjera të dështuara, por ja që sot kur po e shohim këtë, sot flasim më ndryshe, flasim më me shumë shpresë, por ajo që jemi këtu është për t’i zotuar agjendat tona, së bashku me ministrin Ismaili dhe Komunën e Ferizajt se do të vazhdojmë. Ky nuk është projekti i vetëm që shohim në fushën e shëndetësisë, të përbashkëta me ministrin Ismaili” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Në anën tjetër, edhe ministri Ismaili tha se me këtë projekt, Ferizajt po i plotësohet një boshllëk i madh i deritanishëm, paçka objekti aktual i Spitalit të Përgjithshëm nuk i përgjigjej kërkesave të vet qytetarëve ferizajas, pa diskutuar edhe për shërbime shëndetësore për qytetarët e komunave fqinje.
“Të gjithë realisht jemi mbledhur për një projekt që është në pritje për vite me radhë nga vet qytetarët e Ferizajt por edhe të fshatrave dhe komunave përreth. Ne e dimë që qyteti i Ferizajt, padrejtësisht ka pasur një Spital i cili nuk ju ka përgjigjur nevojave të Ferizajt, pra ka qenë një Spital i cili është dashur dhe ka pasur një kërkesë nga ana e qytetarëve por edhe nga ana e Komunës që të bëhet një investim, ngase ky investim ndikon direkt në jetën e qytetarëve. Sot po e shohim që kemi një fillim të mbarë të një projekti i cili do të vazhdoj, do të ketë një Spital modern në Ferizaj, do të ketë mjekë dhe infermierë të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të Ferizajt dhe komunave përreth” tha ministri Ismaili.
Vizita e të parit të shëndetësisë, Uran Ismaili, vijoi edhe në objektin e tanishëm të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, ku u prit nga drejtori i këtij institucioni, Jeton Zeqiri, menaxhmenti dhe punonjësit shëndetësor në këtë institucion. Këtu u bënë të ditura disa prej investimeve që ka kryer Ministria e Shëndetësisë për këtë Spital, kryesisht në pajisje dhe infrastrukturë, të cilat ndikojnë direkt në shërbime më efektive e cilësore për qytetarët.