Para udhëheqjes komunale, Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare të Ferizajt, zyrtarja e UNDP-së Alexandra Meierhans, bëri të dituar se aktualisht po bëhet identifikimi i katër projekteve në gjithë Kosovën, kryesisht nga trashëgimia kulturore e fetare, që do të rehabilitonin objekte ose hapësira në shërbim të disa komuniteteve. Ajo tha se është planifikuar një shumë prej një milionë eurosh për këtë qëllim dhe ftoi udhëheqjen dhe komunitetet ferizajase që të paraqesin idetë e tyre.
Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ranë dakord që njëri nga projektet e mundshme të jetë funksionalizimi i varrezës së re myslimane të Ferizajt, e cila me hapësirat përreth, do të mund t’i shërbente edhe komunitetit katolik.
Me këtë rast u tha se projektet e propozuara, mund të jenë edhe parqe afër objekteve të kultit, që u shërbejnë komuniteteve të ndryshme.
Programi i Kombeve të bashkuara për Zhvillim UNDP, paraqiti sot në Ferizaj idenë e zbatimit të projekteve të përbashkëta, që kanë për qëllim afrimin dhe bashkëpunimin e komuniteteve të ndryshme etnike ose fetare.