Ibrahim Hyseni, drejtor i Drejtorisë për Emergjencë dhe Shërbime Publike, gjatë një konference për media, bëri të ditur se 15 zjarrfikësve sezonal u është vazhduar kontrata. “Në bazë të banorëve që ka Komuna e Ferizajt, gjithashtu edhe punëve që duhet t’i kryen brigada e zjarrfikësve, ne kemi ardhur në përfundim që të rritet numri i zjarrfikësve në kohë të caktuar”, ka thënë Hyseni, duke bërë të ditur se këtë kërkesë e ka bërë komandanti i brigadës së zjarrfikësve, Halil Osmani, i cili i kishte njoftuar zyrtarët komunal për vëllimin e punëve që duhet t’i kryen kjo brigadë, por edhe për nevojat të cilat janë parashtruar kohëve të fundit në Komunën e Ferizajt.
Halili, gjithashtu zyrtarët komunal i kishte njoftuar se mos vazhdimi i kontratës së 15 punëtorëve do t’u sjellë probleme në punë, duke ditur se shumica e zjarrfikësve janë të shtyer në moshë dhe disa prej tyre edhe nuk janë mirë me shëndet. “Kërkesës të cilën e ka bërë komandanti i brigadës së zjarrfikësve, ju kemi përgjigjur ne, si qeveri komunale qysh në mbledhjen e mbajtur dje të bordit të drejtorëve. Kemi marrur një vendim që 15 zjarrfikësve, t’u vazhdohet kontrata edhe për 4 muaj. Është bërë një marrëveshje mes brigadës së zjarrfikësve dhe kryetarit Bajrush Xhemailit”, ka thënë Hyseni.
Po të largoheshin 15 punëtorët sezonal të brigadës së zjarrfikësve në Ferizaj, kësaj brigade do t’i mbeteshin vetëm 27 punëtorë, ku me nga 4 ndërrime sa edhe punohet në këtë sektor, në secilin ndërrim të punës do të ishin nga 5 ose 6 punëtorë, një numër ky tejet i vogël, meqë dihet se Komuna e Ferizaj numëron një numër të madh banorësh, numër i cili edhe kërkon shërbime të kësaj natyre.
Ibrahim Hyseni, drejtor i Drejtorisë për Emergjencë dhe Shërbime Publike, ka thënë se numri i zjarrfikësve duhet të rritet, mirëpo komuna nuk mund t’a bënë rritjen e numrit të zjarrfikësve për arsyeje se ai është i kufizuar. “Por ne këtë ndihmesë zjarrfikësve e kemi bërë me një marrëveshje afatshkurte, të cilën ka të drejtë t’a bënë kryetari i komunës dhe pagesat e tyre të bëhen nga pozicioni mallra dhe shërbime”, ka thënë Hyseni.
Marrëveshja për vazhdimin e kontratës për 15 punëtorët sezonal të brigadës së zjarrfikësve u bë e ditur se do të hynë në fuqi duke filluar nga 11 janari i këtij viti deri më 11 maj të po këtij viti.
Sipas zyrtarëve komunal, prioritet i qeverisa aktuale në Ferizaj është edhe ndërtimi i një stacioni të zjarrfikësve në një pjesë tjetër të qytetit, ku përmes saj do të ofroheshin shërbime qytetarëve më afër fshatrave, Greme, Gaçkë, Neredime e Jezerc, për arsye se përmes qytetit të Ferizajt kalon hekurudha, gjë që pamundësohet intervenimi më i shpejtë i zjarrfikësve në pjesët tjera të qytetit. Nevojë kjo që cilësohet si emergjence, për ndërtimin edhe të një stacioni tjetër, me një numër të caktuar të zjarrfikësve, në mënyrë që qytetarëve të anës tjetër t’u dilet në ndihmë në rast të ndonjë zjarri.
Zjarrfikësve sezonal pranë brigadës së zjarrfikëseve në Ferizaj, ditë më parë u skadoi afati i kontratës, afat ky i cili u ishte shtyrë një herë nga komuna e Ferizajt, por edhe kësaj here Komuna e Ferizajt bëri të njëjtën gjë duke ditur nevojat e mëdha për punëtorë në këtë sektor.