Në ambientet e Galerisë së Arteve në Ferizaj, paraditen e sotme në mesin e qindra pjesëmarrësve, u promovua vepra monografike “Slivova në rrjedhat e historisë” me autor Lutfi Isufin.
Në këtë promovim, të mbajtur nën përkujdesjen e Zyrës së Kryetarit të Komunës e cila mbështeti edhe botimin e kësaj vepre, u vlerësua lartë kjo vepër monografike e autorit Isufi, me fjalën e tyre nga profesorët e recensentët e librit si Prof. Jusuf Osmani, Prof. Mentor Hasani e Prof. Skender Lutfiu.
Nga Komuna e Ferizajt, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Albion Sherifi, i cili në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu përgëzoi autorin për punën e tij të palodhshme e angazhimin që solli këtë vepër monografike për një nga vendbanimet me histori lavdie të Ferizajt, duke i lënë brezave një dëshmi të çmuar për të kaluarën tonë historike.
Në këtë promovim të librit të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ish Eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Elmi Reçica, duke evokuar kujtimet nga lufta çlirimtare, pjesë e cilës ishte edhe autori i kësaj vepre, lavdinë e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Slivovë e më gjerë, gjersa vlerësoi lartë punën e kontributin e çmuar që paraqet për historinë kjo vepër monografike.
Edhe autori, Lutfi Isufi, në fjalën e tij para të pranishmëve u shpreh falënderues për familjen dhe për të gjithë mbështetësit që kjo vepër të jetë në dorën e lexuesit.
Në këtë promovim libri, u shfaq edhe filmi dokumentar ku paraqitej Slivova gjatë luftës dhe tani.