Akuzat që një ditë më parë i kanë bërë LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje në adresë të pushtetit, më saktë Drejtorisë së Arsimit i ka hedhur poshtë drejtori i DKA-s, Agim Berisha.
Numri një i arsimit të Ferizajt ka thënë se këto parti kanë nisur një fushatë të hershme me vlerësime të pavërteta e me një gjuhë shpifëse për gjendjen në arsimin e Ferizajt. Berisha ka thënë se zyrtarët e këtyre dy partive nuk janë në gjendje të dinë nivelet e përgjegjësisë dhe me këtë rast pa ndonjë arsye drejtojnë gishtin drejt DKA-s, e cila në vitet e fundit ka shënuar rezultate inkurajuese. Ai ka pyetur këta zyrtarë se a do të ishte humbje e madhe për qytetin, në rast se do të refuzoheshin 300 mijë euro donacion nga Agjencioni Evropian për renovimin e objektit të Gjimnazit "Shaban Hashani", apo 4.5 milion euro për ndërtimin e Qendrës së Kompetencës.
Duke hedhur poshtë si të pabaza deklarimet e opozitarëve për orën mësimore, përzgjedhjen e kuadrit mësimor, emërimet e drejtorëve të shkollave, regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme, furnizimin me tekste të nxënësve dhe aspekte tjera, drejtori Berisha ka thënë se është depolitizuar arsimi në Komunën e Ferizajt, janë zgjedhur drejtorë shkollash edhe nga parti tjera, ndërsa është zgjeruar hapësira shkollore, e cila më parë ishte ngufatëse dhe punohej në shumë ndërresa me orë 30 minutëshe.
"Me ardhjen në pushtet janë shtuar 10 mijë metra katrorë hapësirë. Pritet që në vitin e ardhshëm të ketë investime në vlerë prej 800 mijë euro renovime" ka thënë Berisha.
Ndërsa lidhur me takimet tradicionale të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me mësimdhënës, Berisha ka thënë se nuk sheh asgjë të keqe nga këto takime dhe se një praktikë kurrë më parë nuk ishte aplikuar në Kosovë.
Ndryshe një ditë më parë, nënkryetari i VV-së, Enver Bajrami e ka përshkruar situatën e arsimit të Ferizajt si mjaft të rëndë, ndërsa kreu i LDK-së, Muharrem Sfarqa duke folur për takimin e shefit të qeverisë me mësimdhënës, ka thënë se janë dhënë premtime boshe për rritje pagash dhe se ky takim është thellësisht elektoral.
Arsimi i Ferizajt, me të arritura të shumta