Mbledhjet e Kuvendit Komunal të Ferizajt tash e tutje do të transmetohen në televizionet lokale. Sipas shefit të zyrës së Prokurimit në Komunën e Ferizajt, Abdurrahman Uruçit transmetimi i mbledhjeve bëhet në bazë të një vendimi i cili është marr në Kuvendin e Komunës. Ai tha se një marrëveshje e tillë ka qenë për një periudhë gjashtë mujore dhe me përfundimin e kontratave është bërë edhe publikimi i tenderit të ri për transmetim të mbledhjeve të kuvendit si dhe të shpalljeve , njoftimeve dhe konkurseve të ndryshme.”Në bazë të ligjit të prokurimit për transmetim, ne me 2 gusht kemi bë publikimin e tenderit për transmetim integral të mbledhjeve të KK-së ,për njoftimet , shpalljet dhe konkurset të cilat janë të parapara me rregullore. Pas publikimit kemi operatorë të cilët kanë qenë të interesuar kanë ardh dhe kanë marr dokumentacionin e kanë kompletuar dhe në bazë të kompletimit të dokumentacionit ka dal që për transmetim integral të seancave fitues është televizioni “Festina”, kurse për publiket dhe konkurset në televizion është televizioni “Liria”, gjithmonë duke pasur për bazë çmimin më të ulët të mundshëm”, është shprehur Uruçi, duke bërë të ditur se me këtë mënyrë, qytetarët do të shohin edhe se si sillen vendimet në interes të tyre dhe në të njëjtën kohë të shohin anëtarët e kuvendit. Shefi i zyrës së prokurimit Abdurrahman Uruçi,ka thënë se përmes kësaj forme do të paraqitet edhe puna e komunës.”Këta dy operatorë kanë qenë më të lirët dhe kanë fituar. Ne një marrëveshje të tillë për transmetim e kemi pasur edhe para gjashtë muajve ku kemi qenë të kënaqur në bazë të mbikëqyrësve që kanë përcjell transmetimin e mbledhjeve, por edhe të njoftimeve”, ka thënë Uruçi. Kjo kontratë ,do të jetë një vjeçare me mundësi vazhdimi. U bë e ditur se vlera e transmetimit të një seance, pa marrë parasysh se sa zgjat ajo është 570 euro llogaritur këtu edhe TVSH-në, ndërkaq për një njoftim, shpallje apo konkurs çmimi do të jetë 29 euro për minutë.
Mbledhjet do të transmetohen në televizionin”Festina”, ndërsa shpalljet, njoftimet dhe konkurset në televizionin”Liria”.