
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se shpreson që akademia e hendbollit, të përgatisë të rinjtë që t’ia kthejnë Ferizajt namin e dikurshëm në hendboll dhe shprehu gatishmëri për ta mbështetur funksionimin e kësaj shkolle.
Ndërsa kryetari i Federatës së Henbollit të Kosovës (FHK) Eugen Saraçini, shfaqi bindjen se akademia që po themelohet në Ferizaj, do të shërbejë si shembull që shkolla të ngjashme të hapen edhe në komuna të tjera të Kosovës.
Sipas marrëveshjes së themelimit, Komuna e Ferizajt e ka për obligim sigurimin e mjediseve të përshtatshme për funksionimin e akademisë, kurse FHK është përgjegjëse për organizimin e mbarëvajtjes së punës, sipas planit operacional, për angazhimin e ekspertëve të hendbollit dhe për furnizimin e akademisë me rekuzita dhe mjete të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë.
Akademia synon angazhimin e sa më shumë të rinjve për t’u marrë me sportin e hendbollit dhe me zhvillimin psikomotorik të të rinjve, kryesisht të moshave jomadhore.