Shembull i rrallë e patjetër për tu duartrokitur është ferizajasja e talentuar dhe e veçantë, që tanimë po hedh hapat e shkollimit dhe karrierës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, balerina Etrita Abdullahu.
Studio e Baletit “Shpresat” ishte dera e parë që hapi qysh si nëntë vjeçare, nga të shumta dyer në rrugën e karrierës, për të vijuar me pjesëmarrjen në shumë aktivitete baleti në Ferizaj e Prishtinë, shkollimin e mesëm në degën e baletit në shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë, e cila padyshim i hapi shtegun e performimit me Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, njohja e puna me koreografë të ndryshëm të njohur në skenën vendore dhe ndërkombëtare, çka i mundësoi të jetë pjesë e shtatë premierave të Baletit Kombëtar të Kosovës, xhiro që ndjeki jo vetëm Kosovën por edhe në Shqipëri, Maqedoni, Austri.
Etrita ishte vetëm 15 vjeçe, kur mori pjesë në Festivalin e Artit në Dubai ku doli fituese e “Grand Prix” – çmimin kryesor të festivalit. Në moshën 16 vjeçare, Etrita u bë pjesë e intensivit veror në New York me “Ajkun Ballet Theatre”. Një vit më pas ajo mori pjesë në festivalin Fini Dance Festival në Itali, ku fitoi bursë për në New York. Si 18 vjeçare ajo me plot pasion e talent, mësyu kryeqendrën botërore New York, ku u bë pjesë e intensivit veror të “American Ballet Theatre”, një ndër kompanitë më të njohura të baletit në botë. Gjatë kohës në New Jork ajo performoi me “Michael Mao Dance”, “Illuminations Dance Company”, “The Coleman School of Dance” dhe ndër të tjera vazhdoi studimet në “Joffrey Ballet School” një ndër shkollat më prestigjioze të baletit në SHBA nga ku diplomoi në vitin 2020 nga Ballet Trainee Program. Gjatë shkollimit në “Joffrey Ballet School” ajo kërceu role solistike dhe kryesore si “Spanish Girl”, “Mirliton Soloist”, “Princesses”, “Snow Queen”, dhe “Sugar Plum Fairy” nga shfaqja “Arrëthyesi”. Këtë vit Etrita ka diplomuar nga “New Jersey City University” në studimet Bachelor në Artet e Bukura – dega e Vallëzimit, që e bën talentin e saj dhe vet Etritën një yll në ngjitje në majat e skenave botërore të baletit, padyshim krenari për Ferizajn e ferizajasit.
Fotografitë/Photo Credits: