Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, ka organizuar një takim ndërmjet afaristëve nga Ferizaj dhe rajoni, si dhe biznesmenëve që veprojnë në diasporë. Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit, nxitja e investimeve dhe krijimi i mundësive për plasimin e prodhimeve vendore në tregun e Bashkimit Evropian.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, Balton Derguti, tha se takimi tradicional B2B synon të krijojë ura bashkëpunimi mes bizneseve vendore dhe atyre të diasporës.
“Takimi tradicional B2B që organizohet me diasporën dhe bizneset e Ferizajt ka për qëllim t’i lidhë këto biznese mes vete, në mënyrë që shumë produkte të ndërmarrjeve të komunës së Ferizajt të eksportohen në tregun evropian përmes bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë”, u shpreh Derguti.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se diaspora shqiptare mbetet një faktor kyç në promovimin dhe depërtimin e produkteve vendore në tregjet e Bashkimit Evropian.
“Sot, me mbështetjen e Caritas-it, do ta lansojmë për herë të parë një platformë, përmes së cilës bizneset do ta kenë mundësinë të bashkëpunojnë në mënyrë virtuale”, tha Rafuna.
Afaristët pjesëmarrës u shprehën se takime të tilla krijojnë mundësi më të mëdha për njohje reciproke, zgjerim të rrjetit të bashkëpunimit dhe zhvillim të partneriteteve të reja afariste.
Takimi është tashmë tradicional dhe organizohet në kuadër të Ditëve të Mërgatës që mbahen në Ferizaj. Me këtë rast u prezantua edhe platforma e re e Odës Ekonomike të Kosovës, ku bizneset dhe afaristët nga diaspora mund të regjistrohen për të krijuar lidhje bashkëpunimi me kompanitë vendore dhe për të zhvilluar projekte të përbashkëta.