Kreu komunal Svarqa ka thënë se gjatë ditës do të zhvillojë një takim me ministrin e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, për të gjetur një zgjidhje për ndërtimtarët ferizajas, lejet e të cilëve janë pezulluar, pavarësisht se janë valide dhe me këtë po shkaktohen humbje në tregun e punës dhe rrjedhimisht humbjet janë edhe më të mëdha se sa paramendohen.
“Në mënyrë të drejtpërdrejtë janë goditur ndërtimtarët, të cilët pa fajin e tyre janë pre e ndalesës, përkundër asaj që kanë një leje valide para organeve kompetente dhe mendoj se kjo nuk është e mirë as për tregun e punës, sepse një numër i ndërtimtarëve si pasojë e kthimit të procedurës në pikën zero, po e braktisin Ferizajn duke gjetur treg më të favorshëm për realizimin e interesave të tyre në ndërtimtari, si në Prishtinë, Gjilan, që kanë një koeficient të ndërtimit më të lartë se Komuna e Ferizajt”, ka thënë Svarqa.
Svarqa ka sqaruar se kjo inciativë është bërë vetëm për rritjen e koeficientit të ndërtimit, në dobi të ndërtimtarëve, mbështetur edhe në kërkesat e këtyre të fundit, ndërsa ka nënvizuar se nuk i shërben askujt që të mbetet një koeficient i ndërtimit prej 2.6 në Komunën e Ferizajt, që është i pashembullt në tërë Kosovën.
“Jam i sigurt që kjo është bërë me mendimin më të mirë, por që në rrugë e sipër janë bërë shkelje procedurale, të cilat do të duhet të eliminohen dhe nëse ka vend për përgjegjësi, askush nuk mund të jetë sfidues ndaj ligjit”, ka potencuar Svarqa.
“Ne kemi pasur më herët për 3 muaj mbi 500 mijë euro taksa ndërtimi, ndërsa tani kemi ngecje në këtë drejtim, gjë që po shkakton probleme edhe në planin e përmbushjes së të hyrave vetjake ta planifikuara. jam i hapur për këto dhe gjithashtu edhe Kuvendin do ta njoftojë me gjitha procedurat, sepse çdo vendim ka kaluar në kuvend dhe i është hapur rrugë revidimeve të planeve për zonën I dhe VIII”, ka thënë Svarqa.
I pyetur se a mund të kontribuojë ministri Agani për zgjidhjen e këtij problemi, kryetari Svarqa ka thënë se ministri ka kompetenca për të marrë një vendin për legalizimin, vetëm për të mos pasur një gjendje të status quos.
“Qëllimi ynë është që të legalizohen ato leje që janë dhënë deri në përmbushjen e kritereve për fillimin e revidimit të këtyre planeve sipas ligjeve dhe rekomandimeve nga ministria dhe komisioni ndërministror”, ka thënë Svarqa.
I pari i Ferizajt ka thënë se shumë shpejt do të organizojë një debat me ndërtimtarët dhe shoqërinë civile për të hapur temat proekupuese dhe arritjen e një kompromisi.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa i është përgjigjur organizatës INPO, e cila gjatë ditës i ka bërë thirrje ta shkarkojë drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, të cilin kjo organizatë e bën përgjegjës për situatën e krijuar në sferën e urbanizimit, me rastin e revidimit të planeve urbane të zonës I dhe VIII dhe ndryshimin e koeficientit të ndërtimit në këto dy zona.