Ministria e Bujqësisë po vazhdon të përkrah fermerët. Kjo ministri edhe këtë vit do të vazhdoj të mbështes sektorin e drithërave, përmes pagesave direkt për njësi të sipërfaqes së mbjellë me kulturën e grurit. Niveli i mbështetjes planifikohet të jetë 100 euro për hektar. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Ferizaj Safit Halilit, fermerët duhet të plotësojnë edhe disa kushte të parapara nga ministri në mënyrë që ata të përfitojnë subvencionimin. “ Të jenë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës, sipërfaqet e mbjella me kulturën e grurit duhet të jenë minimum 2 ha, parcelat e mbjella me grurë duhet të jenë minimum 0.20 ha, të ofrojnë fletën poseduese për sipërfaqen e tokës bujqësore të punueshme, ngastrat (parcelat) e marra me qira duhet të jenë minimum 1 hektar i pandarë, sipërfaqja e tokës bujqësore, e cila është marrë me qira, duhet të dokumentohet përmes kontratës së lidhur ndërmjet palëve dhe përmes fletës poseduese, si dhe sipërfaqja e marrë me qira duhet të jetë e kontraktuar së paku për një vit”, ka bërë të ditur këto kushtet drejtori Halili.
Fermerët duhet të kenë me vete edhe dokumentacionin i cili kërkohet për aplikim.”Aplikacioni i plotësuar, kopja e letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, kopja e kartelës së xhirollogarisë bankare valide, dëshminë nga kadastra për sipërfaqen e tokës së punueshme (pa të dhënat e kadastrës për pyje, oborre, që nuk janë tokë bujqësore) në pronësi ose kopjen e kontratës që dëshmon disponueshmëri të tokës bujqësore,
kopjen e certifikatës së regjistrimit të biznesit për personat juridik,kontrata për sipërfaqen e marrë me qira, duke bashkangjitur fletën poseduese të qiradhënësit dhe dëshmi për pagesën e tatimit në pronë”, është shprehuri numri një i Drejtorisë së Bujqësisë Safit Halili.
Pas këtij aplikimi do të bëhet edhe regjistrimi i fermerëve për përcaktimin e terminit për aplikim dhe digjitalizim të parcelave të mbjellura me grurë.
Fermerët aplikimin e tyre mund ta bëjnë në zyrën komunale për bujqësi pas digjitalizimit të parcelave përmes programit sLPIS.
Të gjithë fermerët, gjatë aplikimit janë të obliguar të plotësojnë edhe formularin për regjistrin e fermerëve, i cili është parakusht për përfitimin e mbështetjes. Njësia e Pagesave, e cila vepron në kuadër të MBPZHR-së, do ta menaxhojë pranimin dhe selektimin e aplikacioneve, si dhe kontrollin e ngastrave të mbjella me grurë.
Interesim i madh i fermerëve ferizajas për të qenë pjesë e këtij subvencionimi