Subvencionimi i sektorëve të ndryshëm të bujqësisë nga ana e pushtit lokal ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermerëve e me këtë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Drejtori komunal për Bujqësi dhe Pylltari, Xhemajl Reçica ka thënë se deri më tani nga donacionet që ka ndarë ky dikaster dhe nga ato që do të ndajë për dhjetëra fermerë gjatë ditëve në vijim, llogaritet të gjenerojnë vende pune afërsisht 100 persona.
"Është një shumë prej 250 mijë eurosh subvencionime të ndryshme që komuna së bashku me Ministrinë e Bujqësisë i ka dedikuar për këtë qëllim. Fermerët kanë përfituar donacione të ndryshme dhe besojmë se do të jenë 100 veta që do të krijojnë vende pune, nëpër sektorë të ndryshëm të cilëve u kemi dhënë përparësi", ka thënë drejtori Reçica, për të numëruar më pas se në cilat sektorë janë ndarë këto mjete.
Ngritja e 10 serrave për perime, subvencionimi me farë misri për 800 hektarë sipërfaqe, ndarja e sistemeve të ujitjes pikë-pikë për 50 pemëtarë, ndarja e koshereve të bletëve për një numër bletarësh, vaksinimi i gjedhave dhe deleve, kanë qenë vetëm disa prej projekteve që janë realizuar apo do të realizohen në pjesën tjetër të vitit.
Gjatë analizës që i ka bërë punës për periudhën e parë të vitit 2014, numri një i kësaj drejtorie, Xhemajl Reçica ka vënë në spikamë aksionin për izolimin e qenve endacakë dhe më pas kastrimin e tyre, duke zhbërë me këtë rast vatrat e burimit të sëmundjeve ngjitëse që mund të lindin nga këto kafshë, pastaj kontrollin e therjes së kafshëve dhe kontrollin e mishit.
"Ne kemi angazhuar 2 veterinerë që do të merren me kontrollin e therjes së kafshëve dhe kontrollin e mishit nëpër shitore ku ekspozohet për shitje. Të dhënat flasin se gjatë javës mesatarisht theren 70-90 krerë, ndërsa kontrolli i mishit gjithashtu është i rëndësishëm", ka thënë Reçica.
Sipas njoftimeve, fushata e korrje-shirjeve ka përfunduar në 80 për qind të sipërfaqes së mbjellë me grurë, ndërsa zyrtarët kanë thënë se rendimentet janë mesatare dhe varirojnë nga 3500 deri në 4000 kilogramë për hektarë.
Duke u ndalë tek sektori i pylltarisë, Reçica ka vënë në dukje masat që pushteti ka ndërmarrë për mbrojtjen e pyjeve nga dëmtuesit, duke e vënë theksin në krijimin e punkteve të kontrollit dhe pajisjen e rojtarëve me pushkë të gjata. Por, sipas tij, dëmtuesit nuk kanë respektuar urdhëresat, me ç’rast janë konfiskuar 170 metra kub dru për djegie dhe 5 metra kub dru industrial. Gjithë ata që kanë dëmtuar pasurinë pyjore, sipas drejtorit Reçica janë duke u përballur me gjykatën, për shkak të veprave penale dhe kundërvajtëse që kanë shkaktuar.
Drejtori Reçica nuk ka justifikuar veprimin e personave që kanë djegur kontjenerët në dy pika kontrolli, duke thënë se nuk do të ketë tolerancë ndaj dëmtuesve të pyjeve, ndërsa duke u ndërlidhur me mënyrën e sigurimit të sasi drusore për djegie, ka shpjeguar se tashmë ka nisur furnizimi për qytetarë nga vende të caktuara në mësimin pyjor me çmime të leverdishme, aty ku bëhet prerja e drunjve sipas kritereve të përcaktuara nga ekspertët.
Subvencionimi i sektorëve të ndryshëm të bujqësisë nga ana e pushtit lokal ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermerëve e me këtë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.