Gjatë ditës së sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, përmes dy anëtarëve të Kuvendit të Komunës, prodhoi një dezinformatë publike, të tipit shumë zhurmë për asgjë, me pretendimin e mbrojtjes të pronësisë publike, përkitazi me parcelën 473/3 ZK Zaskok, ku mes tjerash, pretendojnë për një proces të dyshimtë të kalimit të pronës nga statusi publik në pronë me status privat.
Për sqarim të opinionit publik, kjo pronë pra parcela 473/3 ZK Zaskok, ka qenë, mbetet e do të mbetet pronë e Komunës së Ferizajt, e cila sipas vendimit të Kuvendit të Komunës 01. Nr. 8485 të dtaës 30.11.2006, është ndarë për ndërtimin e një strehimore kolektive për banim social në Ferizaj.
Në historiatin e kësaj parcele, i vetmi ndryshim që ka ndodhur është ndërrimi që është bërë në vitin 1988 sipas procesverbalit për caktimin e kompenzimit me bashkëujdi, përmes së cilës, Komuna e Ferizajt me qëllim të ndërtimit të Fabrikës së Ujit, në formë të kompenzimit i ka dhënë në këmbim, sipërfaqen prej 30 ari, personit privat, në kuadër të parcelës 473 ZK Zaskok, pra një pjesë të kësaj parcele, ndryshim që është evidentuar edhe në aparatin kadastral.
Me asnjë veprim institucional, me asnjë procedurë, Komuna e Ferizajt, nga kjo periudhë nuk ka ndërmarr asnjë veprim sa i përket kësaj parcele, pra duke përfshirë edhe pretendimin e përfaqësuesve nga LDK që tentojnë të mashtrojnë opinionin publik, kinse ka pasur tentativa për ndryshim të statusit pronësor të kësaj parcele.
Sa i përket komunikimit institucional mbi këtë parcelë, është fakt i mirëditur se Komuna e Ferizajt është e hapur në këtë pikëpamje, pra të shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, madje, një grup qytetarësh bashkë me asambleistin z. Besim Hazirin, janë takuar me Kryetarin e Komunës dhe drejtorin e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, për të cilën ky i fundit, i ka garantuar sqarimin e kësaj çështje/kërkese nga ana e banorëve, për më tepër, edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës, drejtori i pronës, gjeodezisë dhe kadastrit, ka dhënë njoftim zyrtar mbi këtë çështje.
Të gjitha pretendimet tjera përkitazi me këtë çështje, përtej kësaj të vërtete të faktuar me akte regjistrimi pronësie e akte tjera komunale, janë tentativa për mashtrim të opinionit publik, duke u shërbyer me pretendime të pabazuara faktike e ligjore.