Drejtoresha e kësaj qendre Rrezarta Reçica, duke folur për sfidat ka përmendur aspektet financiare të cilat po u shkaktojnë vështirësi në funksionimin e saj.
" Duam t’iu njoftojmë se jemi në gjendje të vështirë financiare, dua të kuptoni se është shumë vështirë të menagjohet një shtëpi e tillë duke filluar nga grumbullimi i fondeve nga institucionet e ndryshme, nga organizatat e huaja apo vendore, të menagjohet stafi i strehimores dhe administratës, shërbimet për përfituesit, bashkëpunimet me akterët tjerë etj" ka thënë Reçica, për të shtuar se edhe përkundër një situate të vështirë vullneti për të punuar është i lartë .
"Keni vullnet të na përkrahni në nevojat tona për të vazhduar edhe më tutje në këtë aktivitet. Andaj dua që nëpërmes këtij takimi t’iu njoftoi që përveç nga Kuvendi komunal i Ferizajt dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale aktualisht nuk kemi donacione të tjera", ka thënë Reçica.
Aktualisht u bë e ditur se në këtë qendër janë të strehuar 12 viktima, ndërsa buxheti në vlerë prej 1249 eurove as përafërsisht nuk i mbulon shpenzimet e nevojshme.
"Nga kjo shihet se për një viktimë kemi 104 euro dhe kjo shumë e pamundëson mbulimin e shpenzimeve për ushqim, trajtim mjekësor, medikamentet dhe integrimi në shoqëri. Me vetëm 3 euro e 47 cent në ditë vështirë është të arrihet kjo. Ka ankesa nga viktimat për kushtet por mundësitë janë këto", ka thënë Reçica e cila me këtë rast ka falënderuar edhe KFOR-in amerikan dhe Caritas-in e Kosovës.
Shtëpia e sigurte ka karakter rajonal, mirëpo komunat tjera përveç asaj të Ferizajt nuk kontribuojnë mjaftueshëm në buxhetin e kësaj qendre."Kërkojmë që edhe komunat tjera të rajonit të kontribuojnë në buxhetin e qendrës, në të kundërtën vështirë se mund t’i trajtojmë rastet nga këto komuna "ka thënë Rrezarta Reçica.
Në debat është thënë se kjo qendër duhet përkrahur edhe më tutje. Mbrojtësi i viktimave nga kjo natyrë e dhunës Ibrahim Tërstena vlerësoi se qendra e tillë duhet të funksionojë patjetër ndërsa shtoi se Ferizaj ka nevojë ndoshta edhe për një strehimore edhe më të gjerë Kurse përfaqësues nga OSBE dhe nga komuna e Ferizajt premtuan përkrahjen e tyre për të gjetur një mekanizëm në mënyrë që kjo shtëpi e sigurte të jetë sa më jetëgjatë. U bë e ditur se Qendra “Shtëpia ime” për 6 muaj ka trajtuar 12 raste të dhunës në familje ndërsa për një vit të funksionimit këtu kanë kërkuar ndihmë 28 raste të rrezikuara, 10 prej të cilëve kanë qenë gra me fëmijë. Për nga kombësia 25 kanë qenë shqiptare, një rome, një maqedone dhe një letoneze.
Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve nga dhuna në familje "Shtëpia ime" që vepron në Ferizaj, e cila mbulon edhe komunat tjera të rajonit, nëse nuk përkrahet materialisht rrezikon të mbyllet, është thënë të hënën në një debat, në të cilin drejtuesit e kësaj qendre kanë kërkuar mbështetje më të madhe financiare.