Në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt, me aktivitete të ndryshme është shënuar të enjten 7 Marsi – Dita e Mësuesit, datë kjo që lidhet me hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe.
Manifestimi qëndror është shënuar me një akademi solemne të mbajtur në teatrin "Ardiana", në të cilën, folësit edhe njëherë kanë lartësuar emrat e atyre, që me kontributin dhe sakrificen u bënë pishtarë të arsimit shqiptar.
Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Besim Zymberi, para të pranishmëve ka thënë se periudha e Rilindjes Kombëtare formësoi konceptin për krijimin e kombit politik të organizuar shqiptar, në të cilin një rol do ta luante edhe arsimimi i brezave, të cilët edhe do ta mbajnë për shekuj barrën e emancipimit politik dhe kulturore.
"Ndoshta pa vetëdije me lejimin hapjesë së shkollës së parë shqipe, perandoria Osmane me 1887, pranon ekzistencën e kombit shqiptar.Prandaj marsi i vitit 1887 shenon momentin e transfomimit të qytetërimit shqiptar prej një populli të virtytshëm të traditës në një komb të civilizuar, në një komb të organizuar politikisht" theksoi nenkryetari Besim Zymberi.
Në anën tjetër një rekapitulim të ekzistencës së shkollës shqipe në trevat e Kosovës e ka sjellur Afrim Llabjani, zyrtar i arsimit të Ferizajt. Ai ndër të tjera ka vënë në dukje se rreziqet dhe vështirësit për arsimin shqip nuk kishin të ndalur, përparimi i tij ishte pengesë për okupatorët tanë dhe si i tillë në fund të dekadës së shekullit XX, përkatësisht në vitet e 90-ta, arsimit shqip do t’i mbyllen të gjitha dyert për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Duke iu referuar zhvillimeve të tanishme, Llabjani, ka thënë se sot arsimi frymon ndryshe, duke sjellur aspekte zhvillimore të tij në komunën e Ferizajt.
"Sot falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve komunale të arsimit, sukseset dhe rezultatet në arsimin ferizajas janë të dukshme dhe shumë të prekshme, falë kësaj pune shkollat tona sot kanë hapësirë sipas standardeve që kërkohet, një pjesë e shkollave janë të paisura me kabinet shumica e tyre me biblioteka e mjete konkretizimi, të gjitha ne çasje në internet dhe padyshim se këto bëjnë që nxënësit e komunës tonë të jenë fitues të vendeve të para në nivel republike" ka thënë në fund Llabjani.
Ndryshe, ketë manifestim e kanë bërë më madhështorë nxënësit e Shkollës së Muzikës" Çesk Zadeja " të Ferizajt, me programin e tyre artistik ku përveç këngëve korale pati edhe këngë kushtuar festave të marsit dhe prezantimi instrumentale.
Dita e Mësuesit shënohet në Ferizaj, me aktivitete të ndryshme.