Vetëm gjatë vitit që sapo e lamë pas në këtë drejtori kanë arritur rreth 70 kërkesa. Kështu është bërë e ditur nga zyrtarët e Drejtorisë së Shëndetësisë.
Drejtori i kësaj drejtorie Bashkim Hyseni, ka theksuar faktin se kërkesat janë të shumta, por shumë pak mund tu dilet në ndihmë pacienteve që kanë sëmundje jashtëzakonisht të rënda. “Është numër relativisht i madh për një komunë, pavarësisht që jemi komunë që kemi numër të madh të banorëve. Vitin e kaluar në drejtorinë tonë formularë aplikimi kanë kërkuar edhe iu është plotësuar 70 palëve”ka thënë z. Hyseni, duke shtuar se kërkesat duhet të bëhen nga palët që nuk mund të trajtohen në Kosovë, por kërkojnë shërim në shtetet tjera .
Pala e cila kërkon që të shërohet jashtë vendit duhet të ndjekë edhe ca procedura të nevojshme që më pas ky dokumentacion të dërgohet në Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të bëhet vlerësimi i lëndës.
Sipas drejtorit Hyseni pacienti pasi të shtrihet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe për arsye të ndryshme nuk mund të trajtohet aty, Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion një fond të caktuar që u ndihmon qytetarëve që të trajtohen nëpër klinika jashtë vendit kryesisht në Turqi e Maqedoni.
Zyrtarë të Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj, kanë apeluar tek të gjithë pacientët të cilët kanë sëmundje të rënda dhe nuk mund të shërohen në Kosovë të drejtohen tek kjo drejtori, në mënyrë që t’i ndihmonë duke u plotësuar formularin e aplikimit dhe të fillojnë procedurat e nevojshme për aplikim në Ministrinë e Shëndetësisë. “Te ne është procedurë jashtëzakonisht e thjeshtë nëse kanë rekomandimin nga QKUK-ja bashkë me dokumentacionin tjetër përcjellës, (një kopje të letërnjoftimit,certifikatën e lindjes nëse është nën moshën 18 vjeçare). Ne si komunë më shumë kryejmë punë të nivelit administrativ, përveç plotësimit të këtij formulari dhe e vërtetojmë që pala është banor i komunës së Ferizajt, ne nuk jemi pjesë e vendimmarrjes. Komisioni është në nivel të ministrisë dhe në nivel të gjithë Kosovës për të gjitha komunat që gravitojnë dhe që grumbullohen këto lëndë”, ka potencuar Hyseni.
Por, pavarësisht gjithë kësaj Drejtoria komunale e Shëndetësisë është munduar që në forma të ndryshme të ndihmojë rastet e tilla.”Rastet që për ne janë raste të njohura edhe në aspektin social edhe që i vizitojmë e e dimë edhe natyrën e sëmundjes së tyre jemi përpjekë që edhe nga subvencionet e komunës që ndahen për sektorin për mirëqenie sociale tu ndihmojmë , sadopak në mënyrë simbolike. Ka pasur raste kur ne kemi ndarë atë lëndë që është proceduar për Ministri të Shëndetësisë e kemi vërtetuar dhe jemi përpjekur që së paku në faza emergjente të përpiqemi t’i ndihmojmë këto palë, mos për asgjë tjetër, t’ju hiqet një rrugëtim për në Shqipëri, Maqedoni apo kudo tjetër. Ka raste kur vlerësimi i lëndës që bëhet nga ministria vonon shumë dhe pacienti vdes deri sa të merr përgjigjen pozitive ose negative dhe në këtë drejtim kemi pasur raste kur e kemi vënë në funksion krejt mekanizmin tonë edhe si Qendër Kryesore e Mjekësisë Familjare në sigurimin e transportit të këtyre pacienteve, nëse janë pacientë të lidhur për shtrati, por edhe në ndihmën nga subvencione tona në përkrahje”, ka thënë Hyseni.
Drejtoria komunale e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj çdo herë mundohet që në forma të ndryshme t’i ndihmojë qytetarët ferizajas që kanë nevojë për ndihmë.
Në Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale në Ferizaj, çdo ditë qytetarët drejtohen me kërkesa të shumta për shërim jashtë vendi.