Shqiptarët duhet të jenë krenar që kanë ndihmuar popullin hebre
11/10/2014 00:00
Thuhet se 400 familje hebreje, kanë gjetur shpëtim në Kosovë , në kohën kur në vendet tjera bashkëkombësit e tyre ndodheshin pas skuadroneve të shfarosjes. Xha Ismajli, nuk u çudit aspak kur në mesin e atyre burrave që nuk jetojnë më, e shihte edhe foton e vet. "Isha 8 vjeç, kur u dola në ndihmë kësaj popullate gjatë depërtimit të tyre nëpër Ferizaj, që asokohe e bënin forcat gjermane me trenin që kalonte këndejpari" tregon xha Ismajli. Ai kujtonte momentet se si u sillnin ujë nënat dhe vajzat shqiptare këtyre deri në afërsi të stacionit të trenit, e këta mëpastaj me shishe u ofronin ujin të depërtuarve, për të cilët uji në vagonet e mbyllur ishte bërë sinonim i jetës."Ka qenë punë me rrezik, nëse ziheshim nga gjermanet mund të përjetonin edhe familjet tona pasoja të papara" thotë plaku, që tashmë po rrumullakson dekaden e nëntë të jetës.
Në hapje të kësaj ekspozite, organizatori i saj nga shoqëria shqiptaro-hebraike, Lekë Rezniqi, nipi i Mustafë Rezniqit, familja e të cilit tashmë është radhitur në mesin e atyre familjeve që ka ndihmuar këtë popullatë nga shfarosja, shpjegon se veç xha Ismajlit që kishte ndihmuar, ka qenë edhe familja e Shllaku nga Ferizaj, që kishte ofruar strehim për shpëtim të këtyre fatkeqëve.
“Ekspozita që po hapet sonte titullohet trashëgimia e miqësisë Kosovë-Izrael, shpëtimi i hebrejve nga trojet shqiptare. Kjo ekspozitë siç po e shihni është një ekspozitë më tepër historike dhe jo artistike e cila përfshinë fotografi të protagonistëve dhe ngjarjeve të cilat tregojnë se si ka ndodhur shpëtimi i hebrejve në Kosovë. Tashmë prej disa vitesh njihet kontributi i Shqipërisë për shpëtimin e hebrejve por një çështje tjetër që nuk diskutohet ose që ka më pak vëmendje është ajo se prej kanë ardhur hebrejt që kanë mbijetuar këtu” ka thënë Rezniqi, për të shtuar se ata kanë mbijetuar falë ndihmës së Shqipërisë së atëhershme sovrane.
Hapja e kësaj ekspozite sipas organizatorit përkon edhe me një fakt tjetër, sepse në të njëjtën datë, para 72 viteve, pikërisht në Ferizaj, në Bashkinë e Ferizajt, në vitin 1942 është lëshuar dokumenti falso për familjen Kollomonas, me të cilin ata kanë kaluar në Shqipëri dhe kanë mbijetuar dhe tash jetojne në SHBA.
“Kjo është për të treguar se jo vetëm individualisht shqiptarët kanë qenë të angazhuar për t’i shpëtuar hebrejtë por edhe institucionalisht janë përfshirë që tu mundësohet kalimi i tyre në Shqipëri” ka thënë Rezniqi.
Në anën tjetër edhe i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se hapja e kësaj ekspozite na bënë krenar,nga fakti se në rrethanat me të rënda të historisë atëherë shqiptarët në veçanti pjesa e jonë e qytetit të Ferizajt, janë rreshtuar, jo në anën e të fortit, por siç kanë bërë shpesh herë në anën e atyre që kanë pasur nevojë.
”Sigurisht që ky moment është moment krenarie për gjithë ne, që jemi bërë pjesë e një historie në ndihmë ndaj hebrejve, të cilët kanë përjetuar holokaustin dhe që natyrisht kanë pas një koinçidencë me historinë tone, sepse edhe historia e jonë është një histori e dhimbshme. Sado që ajo nuk mund të jetë e krahasueshme me historinë hebreje, sepse hebrejtë kanë qenë nën pushtimi dhe nën,masat e shfarosjes për mijëra vjet, prandaj këtu edhe qëndron ajo forca jonë kombëtare, që një popull të tillë duke e ndihmuar atë në një mënyrë bëhemi bashkëpjesëmarrës të asaj historie” theksoi Svarqa.
Xhangyle Ilazi, nga Bordi i Shoqatës ka pasqyruar një historik të filleve të kësaj miqësie, e cila dita ditës sipas saj po fuqizohet.
”Deri më tash kemi zbuluar deri 30 raste të familjeve në fjalë, të cilët i kanë strehuar për një kohë dhe më pastaj i kanë transportuar hebrejtë përmes Gjakovës në Shqipëri, për shkaqe sigurie atëherë Shqipërinë e kanë konsideruar si tokë të premtuar por që ishte vështirë me depërtuar” shpjegon ajo. Për më tepër, zonja Iazi ka vënë në dukje se kontributin e shqiptareve të Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë në ndihmë ndaj hebrejve askush nuk mund ta vej në pikëpyetje.
“Janë disa arsye se pse ndodhi që pikërisht në këtë shtet të varfër e të vuajtur, hebrejtë të gjejnë shpëtim. Bujaria, fisnikëria, mungesa antisemitizmit në ish –tokat otomane, kanuni, besa, janë elemente që i kanë ndihmuar këtij fakti që hebrejtë kanë shpëtuar në tokat shqiptare” ka thënë ajo.
Ndryshe, u bë e ditur se kjo e vërtetë për shqiptarët në ndihmë hebrejve doli në dritë vetëm gjatë viteve të 90-ta, pas rënjës së komunizimit, kur shteti shqiptar u dorëzoj tërë dokumentacion me fakte autoriteteve hebreje. Ekspozita do të jetë e hapur disa ditë, ku qytetarët do të kenë mundësi të njihen me këtë kontribut të bashkëkombëseve të tyre në ndihmë popullit hebre.
Ismajl Rrahmani nga Ferizaj të premten në mbrëmje ka përjetuar një emocion të veçantë. Ndonëse në moshë të shtyrë nuk e kishte pasur fare problem për të marr pjesë në hapjen e një ekspozite, në të cilën ishin prezantuar personazhe që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e popullatës hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.