Arijetë Istrefi, është Asistente Ekzekutive e kreut të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili. Ajo në administratën e Komunës së Ferizajt, punon që nga qershori i vitit 2002, ku ishte e punësuar në zyrën e Avokatit Publik të Komunës, ku më pas ka punuar si Asistente edhe në drejtorinë komunale për Shërbime Publike, ndërsa më pas edhe si Asistente Ekzekutive e Kryetarit të Komunës. “Po, është e vërtetë se unë kam punuar edhe në përbërjen e kaluar të qeverisë komunale. Nuk mund të them se ka ndonjë dallim shumë të madh, në veçanti në vendin e punës, ku unë punoj. Kjo për arsye se ky vend i punës, nuk ka të bëjë me vendimmarrje, por thjeshtë është një pozitë e cila ka të bëjë me pjesën organizative të Zyrës së Kryetarit. Këtu mendoj në organizimin e takimeve të ndryshme, në komunikim me nivelin qendror të Qeverisë dhe përcjelljen e obligimeve që janë për Kryetarin e Komunës. Në administratën komunale të Ferizajt, është edhe një specifikë e veçantë, e cila nuk është në komunat e tjera. Kjo është, se Zyra e Kryetarit dhe Zv.Kryetarit, kanë vetëm një asistente ekzekutive, që e bënë punën pak më të vështirë” është shprehur Istrefi.
Arijeta , thotë se si Asistente Ekzekutive punën e bënë me shumë kënaqësi dhe me një përkushtim tejet të madh. “Thënë të drejtën, vendi aktual i punës, ka qenë një sfidë për mua, sepse të jesh pjesë e kabinetit të Kryetarit të Komunës, sa është një privilegj, aq është edhe një përgjegjësi e madhe. Andaj, konsideroj se pozita aktuale e imja në Zyrën e Kryetarit të Komunës, është puna më interesante dhe më atraktive për mua. Njëkohësisht kjo përcillet me mjaft angazhime dhe përgjegjësi të lartë”është shprehur ajo.
Arijetë Istrefi në pozitën e njejtë si Asistente Ekzekutive punon që nga mandati i kaluar qeveritare . Me shumë modesti thotë se në këtë vend të punës pavarësisht obligimeve tejet të mëdha ndihet shumë rehat. “Mendoj se kjo është një pyetje shumë interesante. Fillimisht duhet të them se këtu pikë së pari bëhet fjalë për anën profesionale timen. Më duhet të them pa modesti se, përvoja ime në punë, angazhimi në punë dhe përkushtimi në punë kanë bërë që unë të jem sot këtu edhe përkundër ndërrimit të partive të ndryshme në qeverinë lokale. Në asnjë moment, nuk përjashtohet edhe çështja e besimit, sepse është krejt normale, që Kryetarit të Komunës, në vendin tim të punës i nevojitet një zyrtar apo zyrtare në të cilin ka besim. Pra, profesionalizmi në radhë të parë dhe besimi në radhë të dytë janë dy elemente kryesore për këtë vend pune”.
Për punën dhe përkushtimin e saj Arijeta këtyre ditëve është nderuar edhe me mirënjohje nga Ministria e Administratës Publike , për kontributin e dhënë në fushën e administratës. Ajo thekson faktin se ky është një privilegj tejet i madh për të dhe nxitë që të punojë edhe më shumë .
“Po, gjatë muajit qershor Ministria e Administratës Publike, ka organizuar një ceremoni, ku janë ndarë mirënjohje për zyrtarët dhe zyrtaret (shërbyesit civil) më të mirë të komunave dhe të Ministrive. Unë kam pasur fatin të jem e nominuar, nga komuna e Ferizajt. Njëkohësisht unë kam pasur nderin të përzgjidhem nga MAP-i, për tu shpërblyer me këtë mirënjohje, e cila për mua ka qenë një vlerësim shumë i lartë dhe po ju them sinqerisht se e kam çmuar shumë. Për mua kjo mirënjohje do të thotë shumë. Kjo është një satisfaksion (shpërblim, shpagim) për punën time profesionale. Njëkohësisht, kjo mirënjohje do të thotë edhe një angazhim më të madh dhe përkushtim më të madh në punë”, është shprehur asistenja ekzekutive e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Arijeta Istrefi.
Por, Arijeta megjithatë ka pretendimet e saja për të ardhmën.”Normalisht, unë mendoj se këtë vend të punës, nuk do ta mbaj shumë gjatë. Edhe pse në këtë vend pune jam më shumë se shtatë vite. Përfundimi me sukses i studimeve, më bëri të mendoj për një vend të punës, ku do ti përkushtohem profesionit. A do të jetë ky vend i punës, brenda administratës komunale apo jashtë komunës, këtë për momentin nuk mund ta them. Por, ajo që është e sigurt, është se unë kam dëshirë të punoj në një vend pune, ku vije në shprehje ana ime profesionale”ka thënë Arijeta..
Vlen të theksohet se Arijeta tash për tash ushtron tri funskione atë të Asistentes Ekzekutive, Shefe e protokollit por edhe si Këshilltare e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemailit.
Për punën dhe përkushtimin e saj Arijeta këtyre ditëve është nderuar edhe me mirënjohje nga Ministria e Administratës Publike.