Shpalosjen e kësaj pllake përkujtimore e bëri kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me familjarë dhe bashkëluftëtarët e të këtyre dy atdhetarëve.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se sa herë kujtojmë dëshmorët dhe atdhetarët e të rënët e luftërave në Kosovë e për Kosovën, ne ju kthehemi vlerave tona më të çmuara, sakrificës së madhe që dha ky vend e ky popull për të qenë i lirë në trojet e veta.
“Duke kujtuar dëshmorët dhe viktimat e luftës, ne ia kujtojmë vetes çmimin që ka shija e lirisë. Në këto raste reflektojmë më shumë se kurdoherë se ku ishim, ku jemi dhe ku synojmë të shkojmë. I bëjmë pyetje vetes, nëse po punojmë e angazhohemi me shkallë të tillë përgjegjësie e përkushtimi, sa të kemi të drejtë morale të flasim për ata që flijuan gjithçka që patën për këtë ditë, që ne të jetojmë të lirë, ta projektojmë e ta ndërtojmë të sotmen e të ardhmen ashtu si duam e si mundemi vetë”, tha Svarqa, duke thënë se dëshmorët dhe të gjithë ata që ranë në luftë, shkuan në përjetësi duke e kryer në mënyrë shembullore detyrën e vet atdhetare e njerëzore.
“Çmimi që ata paguan, nuk mund të matet me asgjë tjetër, pos me çmimin e të qenit të lirë, për të ndërtuar të ardhme më të begatshme. Ne u kemi borxh përjetësisht dëshmorëve dhe atyre që ranë në luftë, që të mos i kursejmë asnjëherë përpjekjet, përkushtimin, mundin e djersën, për krijimin e kushteve që brezi i tashëm dhe brezat e ardhshëm, të mund t’i japin sa më shumë kuptim lirisë, për të cilën u sakrifikuan aq shumë bij e bija të këtij vendi. E t’i japësh kuptim lirisë, nuk është punë aspak e lehtë. Sepse liria nuk e ka dhe nuk do ta ketë kuptimin e plotë, nëse nuk krijohen kushte që qytetarët të mund të ndërtojnë jetesë të begatshme, nëse të rinjtë detyrohen ta braktisin familjen, miqtë, të dashurit, ta braktisin vendlindjen e atdheun e tyre, për ta lakmuar statusin e refugjatit të përkohshëm në vendet e huaja. Kjo gjë, për fat të keq, po ndodh edhe sot e gjithë ditën, ndonëse ka gati 15 vjet që jetojmë në Kosovën e çliruar”, është shprehur kryetari Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se qeveria lokale e Ferizajt, është e përkushtuar që të punojë shumë dhe të tregohen edhe rezultate të kënaqshme.
“Dëshiroj të ritheksoj edhe me këtë rast, se qeveria komunale të cilën unë e udhëheq, u ka hyrë me seriozitet përgatitjeve për realizimin e detyrave që ka marrë përsipër: të ndërtojë ujësjellës, kanalizime, rrugë, sheshe, shkolla e objekte të tjera të interesit publik; të mbështesë zhvillimin ekonomik të Komunës përmes përkrahjes së bizneseve; të mbështesë zhvillimin e bujqësisë dhe projektet që kanë për qëllim numrin sa më të madh të të punësuarve, e rrjedhimisht ngritjen e cilësisë së jetesës së banorëve të Komunës së Ferizajt. Por në këto përpjekje, na duhet mbështetja e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake. Të mos i shikojmë projektet zhvillimore nga prizmi a ngjyrimi politik, sepse ato janë në të mirë të të gjithëve, pa dallim. Unë dhe qeveria komunale që e udhëheq, do të jemi të lumtur, kur qytetarët të jenë të kënaqur me cilësinë e shërbimeve që ua ofron pushteti. Në këtë drejtim po bëjmë e do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme, sepse mirëqenia e qytetarëve është misioni dhe detyra që kemi marrë përsipër. Për këtë nga obligon vota që kemi marrë, na obligojnë nevojat dhe interesat e banorëve, por na obligojnë edhe sakrificat që kanë bërë ata bij e bija, për të cilët jemi mbledhur sot”, ka përfunduar Svarqa.
Në këtë manifestim kanë folur edhe drejtues të këshillit organizativ, familjare të këtyre atdhetarëve, si de drejtues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj.
Tek pllaka përkujtimore u vunë kurora të freskëta me lule, ndërkaq nga nxënësit e shkollës “Muharrem Shemsedini” nga fshati Bibaj u shpalos një program i pasur kulturo-artistik.
Për ata të cilët ndihmuan këtë organizim, u ndanë edhe mirënjohje.
Në këtë manifestim morri pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët e tij.