Në kuadër të shënimit të ditës së dëshmorëve, në Pleshinë është bërë përurimi i lapidarit të dëshmorëve të UÇK-së nga ky fshat. Pesë plisa të bardhë si shenjë e identitetit të vëna në hapësirën e lapidarit, bustat e skalitur në hartën e Kosovës të dëshmorëve Ahmet Hoxha, Naim Beka, Ramush Shatrolli, Qamil Osmani dhe Njazi Bjaraktari dhe shkronjat UÇK në fillim të tij përbënin një pamje mbreslënëse të këtij kompleksi.
Elmi Reçica, njëri nga thememeluesit e ZO të Neredimes, tash deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë se emrat e skalitur të pesë dëshmorëve të lirisë janë dëshmia më e mirë se në këtë anë u zhvilluan luftëra për liri.
"Falë gjakut të këtyre dëshmorëve ne sot jemi të liri. Luftërat e tyre janë dëshmi se këto troje kanë pas zot. Pa sakrificën e tyre ne nuk do të mund të bënim asnjë hap para, drejt lirisë, drejt shtetit dhe ndërtimit të shtetit dhe drejt proceseve integruese" ka thënë Reçica. Me pietet për dëshmorët e lirisë nga kjo trevë ka folur edhe komandanti i ZO të Neredimes, Shukri Buja, tash kryetar i komunës së Lipjanit dhe kreu i SHFD-së, Gafurr Bytyçi.
Ndërsa në emër të komuniteti të fshatit Pleshinë ka folur Naim Ferati, aktualisht drejtori i Drejtorisë Komunale të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj.
Shënimit të ditës së dëshmorëve u kanë paraprirë edhe aktivitete tjera, një turne memorial në futboll të vogël dhe një kuiz i diturisë tematik i shkollave fillore të Ferizajt.
Në Ditën e Dëshmorëve fshati Pleshinë, shpalosi lapidarian kushtuar pesë dëshmorëve të këtij fshati