Drejtoria Komunale e Arsimit, në Ferizaj ka përfunduar pothuajse të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor. Tashmë kjo drejtori ka caktuar edhe kuadrin mësimor për të gjitha shkollat e Ferizajt. Drejtues të drejtorisë komunale të Arsimit në Ferizaj, janë shprehur se përmes këtij konkursi synim kryesor kanë pasur që shkollat e komunës sonë, të plotësohen me kuadro të diplomuar në ato shkolla , në të cilat deri me tani kanë punuar mësimdhënës të cilët nuk kanë pasur ato drejtime të nevojshme.”Në kuadër të planit për vitin 2011-2012 konkursi plotësues, si dhe konkursi i rregullt ka përfunduar në afatin e paraparë” , është shprehur Sami Vranovci, kryetar i komisionit për përzgjedhjen e mësimdhënësve. Ai ka bërë të ditur se tashmë është caktuar i gjithë kuadri nëpër shkollat e qytetit dhe ata tashmë kanë filluar edhe të lajmërohen në shkollat e tyre dhe janë në mardhënie pune.”Të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt, kanë kuadër të mjaftueshëm. Në konkursin plotësues kanë konkurruar rreth 280 kandidatë, kurse janë pranuar 96 prej tyre. Në konkursin plotësues lëndët kanë qenë kryesisht në gjuhë angleze, edukatë muzikore, matematikë, fizikë si dhe informatikë”, ka thënë Vranovci.
Në komunën e Ferizajt, janë 37 shkolla fillore dhe 7 të mesme.
Ka përfunduar edhe konkursi plotësues për shkollat fillore, por edhe të mesme të qytetit të Ferizajt.