Pas homazheve te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së, për nder të Ditës së Veteranit të UÇK-së, dhe rënies në altarin e lirisë të Dëshmorit Nazmi Ukëzmajli, manifestimi ka vazhduar te Bashkimi i dy Lumenjve ne Jezerc, Kryetari i Komunës së Ferizajt, z.Agim Aliu ka thëne se të shpalosësh një datë si kjo e sotmja, mendoj se nuk është e lehtë për shumë arsye, sepse evokimi i 16 korrikut të 98-tës ngërthen shpërthime emocionesh nga disa këndvështrime. Edhe optimistët më të mëdhenj e dinin se po fillohej një epokë e re dhe epilogu ishte vështirë të përcaktohej. Në këtë datë ra dëshmori i parë i zonës sonë. Ra ushtari i parë i lirisë në Jezerc, i cili udhëtoi shumë për të mbërritur në vendlindjen e tij, por kësaj radhe jo për pushime e peshqeshe, por për ta çliruar vendlindjen e tij. Në këtë datë u nis vallja e lirisë edhe në zonën tonë dhe valltarët, megjithëse të paktë në numër, kishin hapur krahët për ta mbuluar krejt Jezercin.
Në këtë datë, në të vërtetë u shpall liria në kuptimin e plotë të fjalës. U caktua vendi, kush donte të ishte i lirë mund të ishte i tillë. Gjakrat ishin trazuar kaherë. Lufta tashmë kishte filluar në shumë pjesë të Kosovës dhe nga disa aspekte, por 16 korriku për trevën tonë është i veçantë, sepse pikërisht në këto bjeshkë në këtë datë u ngrit lart flamuri kombëtar, flamuri i lirisë, flamuri kuq e zi i cili po këtë datë u skuq edhe më, me gjakun e dëshmorit të Nazmi Ukëzmajlit.
Në këtë datë sytë e veshët e të gjithëve, e mendjet ishin drejtuar kah Jezerci. Dikush ia mësynte tu bashkohej çlirimtarëve, për tu bërë edhe vet i tillë, të tjerë shpresonin e luteshin për jetët dhe luftën e tyre, ose ndihmonin e i përkrahnin në forma të ndryshme, ndërsa armiku kish drejtuar grykat e gjyleve drejt tyre.
Por, të gjithë e dinin se historia kish ndërruar drejtimin e lëvizjes dhe do të kishte lëvizje dramatike, ashtu edhe siç ndodhi vërtetë më vonë, sepse pas kësaj date Nënzona Operative e Nerodimes u rrit me ushtarë e me fuqi, u shndërrua në zonë mjaft të organizuar me aksione e beteja të shumta. Ushtarët u bënë mishërim e shpresë me mbështetje gjithëpopullore. Ushtarët e lirisë u përballën me betejat më të përgjakshme që njohin luftërat, u përballën me lodhjen, urinë, mungesën e arsenalit karshi armikut, u përballën me humbjen e shokëve ndër beteja, por asnjëherë me pendimin, me uljen e motivit e moralit apo qoftë me luhatjen më të vogël. Flamuri i ngritur në Jezerc nuk do ulej më, por duhej ngritur në sheshe e institucione të Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes e gjithë Kosovës.
Ky udhëtim zgjati mjaft e pati shumë dhimbje, por më në fund sheshet u skuqën, kësaj here jo me gjak por me flamuj. Nëse 12 qershori mund të krahasohet me një pikë ndalese dhe fillim të një epoke të re, kjo gjithsesi u bë e mundur nga ushtarët e lirisë, nga po ata veteranë që e ngulën flamurin në Jezerc më 16 korrik, pra me ata që u nisën për të ardhur nga Jezerci triumfalisht. Megjithëse quhet ditë e Veteranëve dhe veteranët e ndjejnë datë të vetën, kjo datë është më shumë se kaq, kjo është fara e lirisë, kjo është fara e 12 qershorit, është fara e 17 shkurtit, është bërthama e çdo arritje tonë gjatë vitit dhe gjatë viteve.
Veteranë të nderuar, ju meritoni respektin e të gjithëve sepse ju bartët mbi supe peshën e luftës, në mënyrë që të gjithë pastaj të gëzojnë frytet e lirisë. Ju latë pas vetes më të dashurit tuaj, latë vatër e shtëpi, prind grua e fëmijë, ju zgjodhët rrugën më të vështirë, ju nuk menduat për vete por për të tjerët, ju nuk menduat për pronën tuaj personale, por atdheun e quajtët pronë, ju nuk menduat për lirinë tuaj individuale, por për atë kolektive, kombëtare, ju më 16 korrik nisët një udhëtim të gjatë e të vështirë i cili nuk përfundoi më 12 qershor dhe nuk ka përfunduar ende, sepse vendi gjithnjë ka nevojë për patriotë e veteranë si ju në forma e mënyra të ndryshme. Një fjalë rasti ka mbajtur, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së edhe Asllan Shabani veteran i luftës, si dhe në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur bija e Dëshmorit Diana Ukëzmajli .
Kryetari i Komunës së Ferizajt, z.Agim Aliu ka thëne se të shpalosësh një datë si kjo e sotmja, mendoj se nuk është e lehtë për shumë arsye, sepse evokimi i 16 korrikut të 98-tës ngërthen shpërthime emocionesh nga disa këndvështrime.