Shënohet dita e shkollës fillore “Jeta e re” në Greme
16/02/2016 00:00
Për rezultatet e arritura të nxënësve dhe mësimdhënëse në procesin mësimor dhe aktivitete të lira, ka folur drejtoresha e shkollës, Menduhije Zejna. Ajo ka vënë theksin në garat dhe kuizet e organizuara në nivel lokal dhe më gjerë, duke shquar sukseset e nxënësve. Ndër tjerash, ajo ka shprehur falënderime për komunitetin e prindërve të këtij fshati, të cilët siç tha, i kanë dhënë mbështetje të fuqishme shkollës së këtij fshati, ndërsa nuk ka harruar të shpreh falënderime edhe për pushtetin lokal për investimet që ka bërë në infrastrukturë shkollore e që në masë të madhe kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të punës.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ka thënë se ndjehet mirë me të arriturat e nxënësve të kësaj shkolle, ndërsa ka thënë se e gëzon fakti që në këtë shënim nuk u bë ndonjë krahasim me rezultatet e vitit paraprak, pasi krahasimi duhet bërë me nivelet e shkollave evropiane.
“Kremta e shkollës suaj në prag të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ia shton edhe më shumë peshën kësaj dite, sepse na jep rastin të rishikojmë arritjet dhe sfidat tona përgjithësisht në rrugëtimin tonë disavjeçar si shtet i pavarur. Sot ne kemi përgjegjësinë e madhe për të ndërtuar një shtet modern, i cili u krijon mundësi të mira fëmijëve dhe të rinjve tanë për arsimim cilësor dhe konkurrues jo vetëm në rajon. Duke gjykuar nga rrjedhat e sotme, por sidomos nga ato të pritshme, këta nxënës, të rinj e të reja, nesër do të jenë qytetarë të Evropës.”, ka thënë kryetari Svarqa.
Kryetari Svarqa ka folur edhe për mbështetjen e pushtetit lokal për këtë institucion arsimor, nga i cili kanë dalë emra që kanë dhënë kontribut për qytetin dhe më gjerë, duke përmendur me këtë rast deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milazim Haliti.
"Një vendbanim si ky e ka merituar ta ketë përkrahjen dhe mbështetjen e qeverisjes komunale dhe si rezultat i kësaj është kjo shkollë e bukur dhe objektet përcjellëse", ka thënë Svarqa, duke premtuar mbështetje të mëtejme.
Nxënësit më pas kanë shfaqur një program të larmishëm kulturo-artistik.
Është shënuar dita e shkollës fillore "Jeta e re" në fshatin Greme, me një manifestim dhe program shkollor, në të cilën janë përmbledhur ta arriturat e nxënësve dhe mësimdhënëse gjatë një viti.