Ferizajasit me një sërë manifestimesh kanë shënuar 24-vjetorin e çlirimit, duke e kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri.
Kreu i pushtetit lokal Agim Aliu, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të Dëshmorëve të Kombit, deputetë, nxënës, qytetarë e të tjerë janë përkulur dhe kanë vendosur kurora me lule në nderim të gjakut të derdhur për liri në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.
Postimi i plotë i Kryetarit Aliu:
Liria e ëndrruar prej shekujsh, erdhi me lumin e gjakut të Dëshmorëve të Kombit, martirëve e brezave përgjatë shekujve, erdhi me emblemën e krenarisë sonë kombëtare – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, erdhi me krismat e pushkës së luftëtarëve të lirisë, erdhi me pendën e atdhedashësve, erdhi ta gëzojmë sot të gjithë, fëmijët, të moshuarit, burrat e gratë e çdo moshe.
Liria, pavarësia, Republika janë vepër e heronjve, Dëshmorëve të Kombit, sakrificës sublime e amanetit të tyre, e si sot, në 24 vjetorin e Çlirimit të Ferizajt, nderojmë e përkulemi, sa të jetë jeta, veprën e sakrificën sublime të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së, luftëtarëve e martirëve të lirisë!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri!
Urime 24 vjetori i Çlirimit!
Urime 12 Qershori – Dita e Çlirimit të Ferizajt!