Agim Berisha,drejtor Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, ka thënë se është caktuar edhe lokacioni i ndërtimit të kësaj shkolle dhe se komuna ka pranuar të gjitha kriteret e parapara të ekspertëve të ndërtimit. "Jo më larg se në muajin tetor do të vihet gurëthemeli për ndërtimin e shkollës së infermierisë. Lokacionin kemi ndarë, afër shkollës fillore ‘Vezir Jashari’ dhe do të jetë afër rrugës kryesore ‘Rexhep Bislimi’. Ne këmi plotësuar të gjitha kërkesat e tyre", ka thënë Berisha.
Autoritetet lokale të arsimit njëkohësisht vlerësuan si shumë të rëndësishme idenë e fillimit të ndërtimit të shkollës së infermierisë, duke thënë se ajo do të zhvillojë kuadro të cilat nuk do të kenë problem punësimin. "Cdo ndërtim i një shkolle, ka vlerën dhe peshën e vet, sepse aty ku ndërtohen shkolla, ka edukim dhe arsimim të brezave që vijnë", ka thënë Berisha, duke vlerësuar ndërtimin e kësaj shkolle si një përparësi shumë të madhe për qytetin e Ferizajt, pasi që kjo shkollë do të rangohet në atë të shkollës së lartë. "Kuadrot që përgatitet këtu, mendoj se nuk do të kenë probleme për punësim edhe jashtë Republikës së Kosovës", ka thënë Berisha.
Ndërsa sa i përket asaj se me çfarë planprogrami do të parashihet se do të funksionojë shkolla e infermierisë në Ferizaj, Berisha ka thënë se ajo do të jetë një institucion me standarde ndërkombëtare. "Pas vënies së gurëthemelit, do të definohet të gjitha, duke filluar nga planprogrami dhe përdorimit të gjuhëve në atë shkollë", duke shtuar se kjo shkollë do t’i ketë të gjitha parametrat e një shkolle të shteteve të perëndimit. U bë e ditur se Qeveria e Luksemburgut këtë vit do të investojë në ndërtimin e dy shkollave në Kosovë, njëra nga to është edhe shkolla e infermierisë në Ferizaj, me ç’rast për këto dy shkolla do të ndajë rreth 8 milionë euro.
Brenda këtij muaji bëhet e ditur se do të vëhet gurthemeli i shkollës së infermierisë në qytetin e Ferizajt, me iniciativë të Qeverisë së Luksemburgut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.