Stërzgjaten dhe problemet e krijuara i ka bërë publike nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi përmes një konference për gazetarë . Ai tha se asfalti ka filluar të pritet sërish pasi që kanalizimi i rrugës “Hasan Prishtina” nuk ishte lidhur me kolektorin kryesore tek ura e madhe. Nënkryetari i komunës shpjegoi se ky asfaltim është bërë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2013 brenda natës dhe nuk janë respektuar kushtet e projektit ndërsa tani është detyruar kompania që me të njëjtën kosto të rregullojë kanalizimin dhe të kryej asfaltimin.
“Tani ne po detyrohemi për herë të dytë ta bëjmë këtë lidhje dhe të ndërprehen të gjitha punimet, të prishet rruga, të dëmtohen bizneset në mënyrë që ky projekt të përfundojë ashtu siç ka qenë në projekt. Kjo është një dështim për mendimin tim sepse fatkeqësisht askush nuk mendon për ma gjatë, por vetëm aty për aty”, ka thënë Zariqi.
Nënkryetari Zariqi paralajmëroi pasoja edhe për një kompani nga Vitia e cila në atë kohë paguhej nga komuna për mbikëqyrjen e të gjitha projekteve e edhe të projektit në fjalë, por edhe zyrtarë të komunës të inkuadruar tha se do të japin përgjegjësi. Kurse por kompaninë tha se do të futet në listën e zezë për të mos marrë më tenderë meqë ka bërë këto shkelje.
“Ata që bëjnë shkelje gjatë ekzekutimit të punimeve dhe duhet të futen në listën e zezë dhe kurr mos të marrin tender, mirëpo kjo nuk po realizohet, por unë do të insistojë që deri në fund të shkohet me këtë”, ka thënë Zariqi.
U bë e ditur se rruga “Rexhep Bislimi” do të kryhet para dimrit, ndërsa pritet të bëhet edhe heqja 30 varrezave dhe shtresa e dytë dhe e tretë e asfaltit.
Rregullimi i rrugës “Rexhep Bislimi” është bërë njëri ndër projektet që ka zgjatur shumë dhe u ka shkaktuar banorëve të kësaj ane mjaft telashe.