Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, karshi shpifjeve të djeshme e të sotme, të shndërruara tash e sa kohë në mjet të vetëm për sulm politik nga deputetët e pozitës nga Ferizaj dhe protagonistët politik opozitar lokal, lidhur me procedurën e prokurimit me titull: Organizimi i Festivalit “Në vendlindje festojmë”, sqarojmë opinionin publik se:
– Nuk bëhet fjalë për një festival një ditor, por për 150 ditë aktivitete, 6 sezone: verë dhe dimër, 6 festivale, për 3 vite me radhë.
– Procedura e prokurimit është publike që nga data 4 korrik 2024 në platformën e-prokurimi dhe për të janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke qenë të konsultuara dhe miratuara edhe nga organet qendrore të prokurimit publik.
Janë po këta shpifës, që kanë kritikuar qeverisjen lokale vitin e kaluar se nuk po bën mjaftueshëm ngjarje kulturore për mërgatën, duke krijuar gënjeshtrën se qëllimshëm po orientohen ngjarjet në pjesë të tjera të qytetit, gjersa kritikojnë këtë projekt me kosto minimale, për 150 ditë aktivitete për 3 vite, në 6 sezone: verë dhe dimër, çka flet për qasjen destruktive, keqdashëse të tyre.
Andaj, deputetët e pozitës, në këto ditë të vapës kërcënuese për jetën, do të duhej të angazhoheshin për të rritur kapacitetet e siguruar ujë të pijshëm për qytetarët, përmes ndërmarrjes “Bifurkacioni” që është ndërmarrje që menaxhohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës e jo nga Komuna.
Shpifja si mjet për sulm politik, i zhvesh qëllimet e qarta të tyre, duke vërtetuar se qëllimi i tyre nuk është përfaqësimi i interesit qytetar por gënjeshtra që vet prodhojnë për të marr pak vëmendje, për t’i ruajtuar privilegjet e tyre në të ardhmen.
MIRËSEVINI BASHKATDHETARË, KËNAQUNI NË VENDLINDJE!