Sot, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Enver Haliti, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” lidhur me mosfinancimin e sivjemë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, nga Ministria e Kulturës, u shpreh se Festivali i Teatrove do të mbështetet nga MKRS sikurse viteve të kaluara, duke theksuar se MKRS ka kërkuar nga Teatri dhe Komuna nënshkrimin e një memorandumi për financimin trevjeçar të kësaj ngjarje, duke u shprehur se deri më sot, MKRS nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Komuna e as nga Teatri.
Qytetarëve të Ferizajt, artistëve dhe artdashësve ferizajas i kemi borxh një sqarim, për këtë gënjeshtër këmbëshkurtër të deputetit Haliti, madje edhe tendencën e tij, që ta paraqes veten si “shpëtimtarin” e kulturës ferizajase, duke gënjyer publikisht për faktet që verifikohen lehtësisht.
Së pari, në pohimin e deputetit Haliti, nuk qëndron thënia se MKRS ka mbështetur viteve të kaluara Festivalin e Teatrove, ku mirëfilli komuniteti artistik e dijnë se për 3 vitet e fundit, më 2021 nuk u mbështet nga MKRS ky festival me arsyetime qesharake, më 2022 u mbështet pas procesit ankimor, pra jo në fazën e parë, kurse këtë vit rezulton pa mbështetje nga MKRS ky Festival. Pra, nga 3 vite, 2 prej tyre janë pa mbështetje nga MKRS për Festivalin e Teatrove.
Shih për këtë reagimet zyrtare:
Lidhur me pohimin e deputetit Haliti se MKRS ka kërkuar nga Komuna e Teatri nënshkrimin e një memorandumi financimi, prapë gënjeshtra është jetëshkurtër, ngaqë asnjë komunikim zyrtar me shkrim nuk ka pas nga Ministria e Kulturës, drejtuar Komunës së Ferizajt apo Teatrit për këtë memorandum. Kë quan deputeti Haliti kërkesë të MKRS-së, që paska “mbetur” pa përgjigje nga Komuna dhe Teatri?! Së fundmi, janë telefonata nga zyrtarë të MKRS, të vonshme gjithsesi, pasi u diskualifikua nga përzgjedhja si përfituese e subvencioneve – organizata që do ta bëj Festivalin e Teatrove – Fondacioni “Festivali i Teatrove Ferizaj”. Nëse deputeti Haliti që në këtë deklarim merr rolin e zëdhënësit apo zyrtarit të MKRS-së, cilëndo që preferon ai, duke u deklaruar me siguri absolute në emër të MKRS-së, konsideron se bisedat telefonike pas orarit të punës, janë propozime zyrtare në letër, atëherë çdo diskutim tjetër kuptueshmërie është i tepërt.
Së treti, deputeti Haliti, shprehet se është kërkuar nga Komuna e Teatri, nënshkrimi i memorandumit për financim të Festivalit të Teatrove, pa thënë as cila është marrëveshja, çka parasheh, sa është kosto e financimit etj, të dhëna që Komuna e Teatri nuk mund t’i di sepse nuk kanë pasur asnjëherë një propozim zyrtar.
Së katërti, deputeti Haliti, duhet të di ta kryej punën e tij, si deputet, si i zgjedhur, jo si kasnec i të pavërtetës për pak publicitet vetjak, në çështjen e padrejtë, jodinjitoze të MKRS duke mosfinancuar Festivalin e Teatrove, madje pa u njoftuar edhe vet organizata aplikuese se cilat kritere përjashtuan mbështetjen për Festivalin!
Deputetit Haliti, duhet t’i jap përgjigje komunitetit artistik ferizajas, edhe si ish drejtor i kulturës të paktën, se pse për të disatën herë, edhe sivjet, nuk morën financime ngjarjet e rëndësishme kulturore në Ferizaj, festivalet shumëvjeçare si Festivali i Filmit “FerFilm”, Festivali i Muraleve – organizuar nga Mural Fest Kosova, aktiviteti letrar vjetor i Klubit Letrar “De Rada” e ngjarje të tjera identitare të Ferizajt, apo edhe për këto ngjarje kulturore, lypsen “memorandume” në formë të bisedave telefonike nga zyrtarët e MKRS-së?!! Apo prapë e ka fajin Komuna e jo Ministria e Kulturës që refuzon për të satën herë aplikimet me këto ngjarje të veçanta kulturore.
Deputeti Haliti, meqë gjeti “formulën e suksesit” pse nuk propozi memorandume të veçanta edhe për këto ngjarje kulturore, apo ato duhet të mbeten të tilla sipas dioptrisë së tij, të papërfillshme e të refuzuara siç bëri MKRS me aplikimet e tyre.
Një dhe vetëm një është e vërteta! Ministria e Kulturës, ka refuzuar sivjet financimin e Festivalit të Teatrove, pa asnjë sqarim edhe pas procesit ankimor, edhe pas argumenteve të plota e të palëkundshme për aplikimin. Ministria e Kulturës ka refuzuar edhe Festivalin e Filmit, Festivalin e Muraleve, Klubin Letrar “De Rada” etj, duke ofenduar komunitetin artistik ferizajas. Por ama, një gjë duhet ta ketë të qartë Ministria e Kulturës dhe deputeti e të tjerë të ushqyer nga kjo dezinformatë, se skena kulturore e Ferizajt, as nuk thyhet as nuk shuhet nga mospërkrahja financiare qeveritare, përkundrazi, arti e artistët ferizajas, do t’ia dalin, të ngadhnjejnë me punën e djersën e tyre, me talentin e përkushtimin profesional, mbi gënjeshtrat, mbi propagandën, mbi arrogancën, mbi tendencën për poshtërim e mbi injorimin nga institucionet vendimmarrëse qendrore.
Sot, artistët janë me Ferizajn, artistët nga e gjithë Kosova bashkëndjejnë me kolegët nga Ferizaj, për të padrejtën, për mohimin, për mospërkrahjen që po i bëhet.