Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), gjatë muajve të fundit të vitit 2025, është realizuar pranimi i pajisjeve të reja mjekësore në vlerë totale prej 54,275 euro.
Në kuadër të këtij investimi janë siguruar: 5 karrika stomatologjike, prej të cilave tre janë të destinuara për QKMF, një për QMF-1 dhe një për QMF-5 në fshatin Komogllavë;
Një autoklavë 100 L, e dedikuar për objektin e ri të QKMF-së, i cili aktualisht ndodhet në fazën e meremetimit;
Një RTG portabël intraoral (për dhëmbë) me sensor në DAT;
Pajisje laboratorike për QMF-11 në fshatin Koshare, objekt që ndodhet në fazën përfundimtare të punimeve.
Këto pajisje mjekësore janë siguruar përmes investimeve kapitale nga Buxheti Komunal për Shëndetësi, nëpërmjet DSHMS-së, me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore parësore, rritjes së cilësisë së diagnostikimit dhe trajtimit, si dhe përmirësimit të kushteve të punës për stafin mjekësor.
Investimi në pajisje bashkëkohore mjekësore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së kujdesit ndaj shëndetit të qytetarëve. Përmes këtyre investimeve, Komuna dëshmon përkushtimin e saj të vazhdueshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve shëndetësore, në shërbim të komunitetit.