Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj ka arritur rezultat të jashtëzakonshëm në përmbushjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke u vlerësuar e para në Kosovë me 98.7% të përmbushjes së standardeve.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, si dhe drejtuesit e QKMF-së, pritën zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe projekti AQH, nga të cilët pranuan certifikimin e standardeve të cilësisë së shërbimeve.
Ky vlerësim është rezultat i auditimit ndërkombëtar të realizuar për standardet dhe cilësinë e shërbimeve në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kosovë, ku QKMF-ja e Ferizajt shënoi rezultat prej 98.7%, duke u renditur në krye të institucioneve të vlerësuara.
Në këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ndau gjithashtu vlerësimin dhe certifikimin për iniciativën dhe ekipin e QKMF-së Ferizaj, për organizimin e konferencës së parë për cilësi, duke dëshmuar përkushtimin e këtij institucioni në avancimin e standardeve, përmirësimin e shërbimeve dhe ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për qytetarët.
Ky rezultat pasqyron punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit shëndetësor të QKMF-së Ferizaj, në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore dhe efikase për qytetarët.