Sot, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Organizatës „Medica Gjakova” dhe QKMF-Ferizaj, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe avancimit të kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë për ofrimin e shërbimeve të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet që gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës në baza gjinore, përfshirë dhunën seksuale, të kenë qasje në shërbime shëndetësore profesionale, të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në një qasje të ndjeshme ndaj traumës.
Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të institucioneve shëndetësore dhe krijimit të një mjedisi më mbështetës, të sigurt dhe mirëkuptues për të mbijetuarat e dhunës.
Projekti ISTHP – Programi Ndërkombëtar për Qasje të Ndjeshme ndaj Stresit dhe Traumës në Institucionet Shëndetësore bazohet në këto komponentë dhe objektiva kryesorë:
Ngritja dhe avancimi i kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë;
Institucionalizimi i shërbimeve shëndetësore për menaxhimin e stresit dhe traumës;
Avokimi në nivel kombëtar dhe rrjetëzimi ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, QKMF-Ferizaj do të mbështesë Organizatën „Medica Gjakova” në zhvillimin dhe zbatimin e projektit, në përputhje me kriteret dhe dispozitat e përcaktuara në Memorandumin e Bashkëpunimit.
Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në fuqizimin e rolit të institucioneve në ofrimin e përkujdesjes profesionale, me dinjitet dhe ndjeshmëri ndaj nevojave të grave dhe vajzave të mbijetuara të dhunës.