Këshilli Komunal për Sport, ka shpallur edhe dhjetë sportistët më të mirë, klubin më të mirë dhe trajnerin më të mirë për këtë vit. Epiteti i klubit më të mirë u takoi vashave të Klubit të Hendbollit "Kastrioti", fituese të kupës së Kosovës dhe kampione të stinorit vjeshtor. Në dhjetëshen e parë janë përfshirë, Erina Berisha, basketbolliste, Besim Shahini, motoçiklist, Bujar Tahiri, boksier, Burim Asllani, automobilizëm, Mimoza Islami, futbolliste, Nazmije Ibrahimi, volejbolliste, Ylber Ramadani, futbollist, Vildane Jashari, volejbolliste, Heset Arapi, volejbollist, Mursel Mehmeti, hendbollist dhe Kaltrina Beka, hendbolliste. Trajnerë më të mirë u shpallën, Shemsi Shaqiri dhe Xhavit Morina.Të gjithë këta u stolisën me medalje dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në avanasimin e sportit ferizajas.
Pas shpalljes së më të mirit, çiklisti ferizajas, Qëndrim Guri, njëherësh bursisti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, ka thënë se të arriturat e tij në këtë sport janë përcjellur me mjaftë sfida, ndërsa epiteti i më të mirit në komunën e Ferizajt do të jetë edhe një motiv shtesë për suksese tjera."Sfida e këtij viti është kampionati evropian që do të mbahet në Bratisllavë. Jemi duke punuar më përkushtim të shtuar për të dalë sa më mirë në këtë garë, por edhe në garën tjetër që do të mbahet në Baku të Azerbajxhanit, po punojmë që të dalim fitues" ka thënë Guri.
Në manifestimin e organizuar me këtë rast, sportistëve të komunës i është drejtuar edhe i pari i qytetit, Muharrem Svarqa. Ai u ka thënë sportistëve se ky eveniment rumbullakson të arriturat e sportit të Ferizajt, ku padyshim spikatë edhe kontributi i juaj në të gjitha sportet pa dallim.
"Për komunën e Ferizajt sporti ka qenë shumë i suksesshëm se sa ekonomia dhe politika. Kjo tregon se Ferizaj po vazhdon kontinuitetin, vazhdimësinë e vet edhe me rezultate edhe më të mirë dhe në veçanti në këtë vit që do të mbahet mend për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik dhe të Federatave tjera, në federatat simotra evropiane dhe botërore" ka thënë Svarqa.
Ai më tutje ka vazhduar se edhe qyteti i Ferizajt ka kontribuar në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përmendur hendbollin si një sport me rëndësi, por pa anashkaluar edhe sportet tjera.
"I përgëzoi të gjitë ata sportist e sportiste që Ferizajt i kanë dhënë një kuptim dhe një emër më të njohur në arenën ndërkombëtare dhe kombëtare. Falënderoi edhe ata që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e proceseve sportive,sidomos afaristet e suksesshme ferizajas që nuk kanë pritura që të ndajnë pjesë të kapitalit në zhvillim të sportit edhepse buxheti i komunës gjithsesi do të ishte i papërballueshëm për t’i ndihmuar këto suksese që keni arritur ju" ka thënë Svarqa, për të shtuar se përkrahja institucionale karshi sportit dhe sportistëve nuk do të mungoi asnjëherë.
Këshilli Komunal për sport ka ndarë mirënjohje tjera edhe për sportistë tjerë e punëtorë sportiv të cilët kanë dhënë kontribut në sportin e komunës.
Qëndrim Guri, anëtar i klubit të çiklistëve "Kastrioti" nga Ferizaj është shpallur të mërkurën pasdite sportisti më i mirë i Ferizajt për vitin 2014.