Është i pafund vargu i deklarimeve propaganduese të deputetit Basha dhe shokëve të tij, në adresë të Komunës së Ferizajt dhe punës së Kryetarit Aliu. Së fundmi, është deklarata e tij, totalisht e pavërtetë, e papërgjegjshme dhe tendencioze, me rastin e përfitimit të kamionëve për grumbullimin e mbeturinave nga Komuna e Ferizajt si rezultat i punës së shpërblyer të Komunës sonë në Garën për Mjedis të Pastër, zhvilluar në vitin 2018.
Për të demaskuar këtë propagandë që nuk i bën nder as zotëriut në fjalë, as shokëve të tij përkundrazi i nxjerr qesharak para të vërtetës së dëshmuar me fakte në dritë të diellit e që për hir të informimit të drejtë të qytetarëve të Ferizajt, përmendim faktet si vijon:
Së pari, kjo garë është zhvilluar dhe përfituesit e kësaj gare janë shpallur në vitin 2018, kohë kur deputeti Basha dhe shokët e tij, nuk ishin në pozicionet që janë sot dhe as Qeveria aktuale nuk qeveriste me vendin.
Së dyti, është fakt i pamohueshëm se përfitimi i këtyre kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, ka ardhur si rezultat i punës së përditshme, të jashtëzakonshme të punonjësve të KRM “Pastërtia” dhe Komunës së Ferizajt, duke bërë që të vlerësohet kjo punë e ky sukses me përfitimin e grantit, pra nuk janë dhuratë që e fitoi pa mund Komuna e Ferizajt këtë kontigjent kamionësh, por janë rezultat i punës së merituar të punonjësve të mirëmbajtjes dhe Komunës së Ferizajt.
Së treti, është fakt po kështu i pamohueshëm se siç shihet në fotografitë e prezantuara në këtë konferencë për media, ishte viti 2018, koha e qeverisjes së Kryetarit Aliu, koha kur u përfitua ky grant, e dëshmi për këtë janë përveç fotografive nga ceremonitë përkatëse, edhe çeqet që dëshmojnë një gjë të tillë. Pra, absolutisht, nuk qëndron tendenca e përvetësimit të asgjëje nga Komuna e Ferizajt, përkundrazi, është merita e punës së qeverisjes Aliu që solli tek përfitimi i këtij granti, rrjedhimisht edhe kamionëve që dje u dhuruan, e që në kushte normale të përfaqësimit politik të qytetarëve, do të duhej që ky lajm t’i gëzonte deputetin Basha dhe shokët e tij, për shkak se ishin pikërisht këta të fundit që janë kritikët më të mëdhenj të menaxhimit me mbeturinat në qytet, e tash kur kompania përkatëse po pajiset me mekanizëm modern për grumbullim të mbeturinave, janë po këta, që tentojnë ta minimizojnë rolin e Komunës dhe suksesin e saj në këtë grant, madje duke tentuar, thuajse nuk ka fare memorie kolektive, t’ia mveshin vetes dhe pushtetit që i takojnë, meritat për këtë grant.
Përfundimisht, për të qenë tërësisht të qartë për bashkëqytetarët tanë, 4 kamionët e sjellur dje janë rezultat i Grantit të Performancës dhe Garës për Mjedis të Pastër zhvilluar në vitin 2018, por që përshkak të procedurave të brendshme implementuar nga GIZ-I gjerman, dorëzimi i tyre është vonuar deri më tani, andaj asnjë meritë nuk mund të ketë as deputeti i lartcekur dhe shokët e tij dhe as pushteti qendror të cilit i takon. Merita e vetme në këtë mes e nivelit qendror, është organizimi i ceremonisë së djeshme të ndarjes së çelësave të kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, të përfituara nga komunat vite më parë, pa qenë pra, në pushtet, pushteti aktual qendror.
Kjo garë absurde për meritë personale e theksuar tek deputeti Basha dhe shokët e tij, për t’ia atribuar pushtetit qendror këtë gjë që ka nisur qysh herët, pa qenë fare në qeverisje pushteti aktual qendror, e nxjerr deputetin Basha dhe shokët e tij, minimalisht joserioz, për të mos thënë tendencioz e manipulues të opinionit publik, andaj ferizajasit dijnë të çmojnë faktet e gjithashtu kanë dëshmuar se dijnë të përbuzin gjuhën e propagandës e manipulimit që për fat të keq, e kanë marr përsipër si mision e pasion, deputeti dhe shokët e tij.
Sa më sipër, vlejnë ende pytjet e ferizajasve, për deputetët e pushtetit aktual qendror, për atë se çfarë sollën për Ferizajn, cilat projekte, le t’i thonë hapur e me dëshmi. E gjithashtu vlen përsëri kërkesa e njejtë drejtuar po këtyre, nëse nuk mund të sillni projekte të reja, të paktën të mos bllokoni ato që kohë më parë janë nisur, para se të vinin në pushtet deputetët e lartcekur, madje hiqni dorë edhe nga gara absurde për të marr merita vetanake, për projekte e punë që tash po ndodhin, por që kanë nisur vite më parë.
Është thirrje e nevojë e ferizajasve, bëni ndonjë punë të hajrit për Ferizajn, t’ua shohin hajrin mijëra zgjedhës tuaj para të cilëve keni përgjegjësi si për veprimet ashtu edhe për mosveprimet tuaja, çlirohuni nga gjuha e propagandës që nuk ju shërben ferizajasve e as juve, natyrisht.
Për hollësi tjera, bashkëngjitur gjeni sqarimin e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, dhënë në konferencë për media.