Të mërkurën kryefamiljari i saj Agimi, ka pranuar çelësat e shtëpisë së re, dhuratë kjo e pronarit të kompanisë "Eurometal", Njazi Musliu, tek i cili prej shumë vitesh punon Agimi.
Me këtë rast, Musliu, ka shpjeguar se ideja për ngritjen e kësaj shtëpisë ka ardh si rezultat i asaj se Agimi ka qenë njëri ndër punëtorët më të vjetër të kompanisë dhe i cili për shumë vite ka jetuar në kushte shumë të vështira, pa kulm mbi kokë.
"Agimi si punëtor më i vjetër ka ndodhë që shpesh të punojë edhe pas orarit të punës dhe për këtë djemtë e kanë ofruar deri në shtëpi. Me këtë rast ata kanë parë se kushtet e jetesës së Agimit janë shumë të vështira. Prandaj ata kanë marrë iniciativën dhe kemi vendosur që Agimit ti ndërtojmë një shtëpi. Deshi Zoti që kjo te kryhet shpejt dhe në prag të kësaj feste Agimi të bëhet me shtëpi të re” tha Njazi Musliu.
Pronari i kësaj shtëpie të re, Agim Çerkini, nuk ka mundur të gjejë fjalë për ta falënderuar pronarin e kësaj kompanie. Ai ka thënë se në shtëpinë e tij sot është festë e dyfishtë dhe se këso vepra dinë ta bëjnë vetëm njerëzit që kanë zemër të madhe dhe familje të mrekullueshme.
" Është një gëzim i papërmbajtur, nuk kam fjalë për t’i përshkruar këto momente",thoshte Agimi, derisa djali i tij i vogël nuk kishte forcë për t’i ndalur lotët e gëzimit. Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave ishte prezent edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili falënderoj pronarin e kësaj kompanie për këtë gjest human si dhe të gjithë kompanitë ferizajase të cilat në gala mbrëmjen e mbajtur në Ferizaj dhuruan rreth 200 mijë euro për ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për të përcjellë një mesazh për të gjithë afaristët e suksesshëm ferizajas që të ndjekin shembullin e afaristit, Njazi Musliu, për ndërtimin e shtëpive për të pa strehët në komunën e Ferizajt. Afaristi, Njazi Musliu, jo vetëm me këtë rast ka kontribuar, por edhe në gala mbrëmjen e mbajtur ka shprehur gatishmërinë për rregullimin e mbulojës së kulmeve për 10 shtëpi të cilat do të fillojnë të ndërtohen së shpejti. Ky pra është një nga shembujt më praktik për të gjitha bizneset e suksesshme të cilat në forma të ndryshme kanë ndihmuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve” tha kryetari Muharrem Svvarqa.
Madje Svarqa, ka shtuar se në komunën e Ferizajt janë 130 familje që kanë nevojë për objekte banimi, prej tyre sipas tij 20 familje do ta zgjidhin shumë shpejtë problemin e banimit, ndërsa edhe 40 të tjera do ta zgjidhin këtë problem përmes banesave të cilat ishin të uzurpuara dhe tani janë liruar. “Për këtë jemi në fazën e fundit të formimit të komisionit për ndarjen e banesave sipas rekomandimit të Kuvendit të Komunës i cili është aprovuar në njërën nga seancat e fundit” tha Svarqa.
Familja kater anëtareshe Çerkini nga Ferizaj i ka dhënë fund problemit që ka pasur me strehim.