Në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës – Ferizaj 2025”, në ambientet e Galerisë së Arteve u mbajt promovimi i librit “Qamili i Vogël – Këngëtari i Madh”, me autorë Sylejman Salihu dhe Salih Berisha.
Libri i kushtohet figurës ikonike të muzikës qytetare shqiptare, Qamilit të Vogël, dhe vjen si një homazh për 100-vjetorin e lindjes së tij. Me këtë botim, autorët synojnë të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë muzikore të njërit prej emrave më të dashur dhe më të respektuar të muzikës shqiptare.
Gjatë promovimit, autorët theksuan rëndësinë e dokumentimit të figurave të mëdha kulturore si Qamili i Vogël dhe ndanë rrëfime mbi procesin krijues të librit. Prof. Sylejman Dermaku, redaktor i veprës, vlerësoi qasjen shumëdimensionale të autorëve, duke e cilësuar librin si një përzierje të analizës muzikore me dëshmi dhe rrëfime të rralla që e bëjnë portretin e artistit më të gjallë dhe më të afërt.
Të pranishmit u përshëndetën nga Sabri Pajaziti nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe nga Bujar Arllati, të cilët vlerësuan kontributin e autorëve dhe rëndësinë e kësaj vepre për kujtesën kulturore.
Në ngjarje morën pjesë studiues, artistë, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe dashamirë të muzikës, të cilët e konsideruan këtë libër si një akt të rëndësishëm mirënjohjeje ndaj trashëgimisë muzikore shqiptare dhe një pasuri për gjeneratat e reja.