
“Pas rregullimit të kanalizimit do të rregullohet edhe shtrati i lumit”, ka thënë drejtori Ilazi, ndërkaq ka shtuar se rregullimi i kanalizimit do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e ujërave të zeza me të cilin është ballafaquar fshati Varosh me vite të tëra.
“Ne e dimë që kanalizimi i gjithë qytetit është derdhur në Nikadin, ndërkaq ujërat e zeza kanë kaluar nëpër lumin e fshatit Varosh, ku pos erërave të rënda ka pasur dëme edhe në bujqësi”, është shprehur drejtori Gafurr Ilazi.
Nga ana tjetër banorët e fshatit janë shprehur të kënaqur me këtë projekt, duke theksuar se një gjë e tillë është dashur të bëhet qysh më parë.
Ky projekt për rregullimin e kanalizimit do të fillojë në pranverën e këtij viti, ndërkaq pas kësaj do të shqyrtohen mundësitë për gjetjen e donatorëve për të bërë edhe rregullimin e shtratit të lumit, ku në bazë të projektit është e paraparë që të bëhen edhe shëtitorja në të dy pjesët e lumit.
Drejtoria komunale e infrastrukturës, këtë të shtunë para banorëve të fshatit Varosh, ka bërë prezantimin e projektit të kanalizimit dhe të shtratit të lumit në këtë fshat.