I pari i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Xhemajl Reçica, gjatë një paraqitje publike ka thënë se është rritur dukshëm prerja ilegale e pyjeve, ndonëse komuna gjatë këtij viti ka dhënë leje për prerjen e 350 metrave kub dru, sasi kjo që po del e pamjaftueshme për qytetarët.
"Sektori i pylltarisë këtyre ditëve po na sjell kokëçarje të mëdha, duke u nisur nga fakti se në këtë sezon është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve. Banorët e komunës së Ferizajt në masë të madhe ngrohjen e kanë me dru zjarri dhe kjo po na sjell telashe në ruajtjen e pyjeve", ka thënë Reçica.
U bë e ditur se komuna e Ferizajt e ka një sasi të madhe të sipërfaqeve me pyje prej 16 mijë hektarëve, ndërsa gjatë këtij 9 mujori janë dhënë leje për prerjen e mbi 350 metrave kub dru. Veç këtij problemi, në komunën e Ferizajt si shqetësues mbetet edhe problemi i qeneve endacak, shtimi i numrit të tyre është bërë problem për shumë lagje të komunës.
U tha se së paku 4-5 kërkesa po vijnë në ditë nga qytetarët që të bëhet diçka për këtë problem, por aktualisht zyrtarët komunal e pranojnë se janë të pafuqishëm për të bërë diçka më shumë. "Operatorit ekonomik i është vazhduar kontrata për kastrim por ai nuk po jep efektet e duhura në eliminimin e tyre. Komuna aktualisht po pret ndonjë udhëzim nga niveli qendror për të ndërmarrë ndonjë masë para muajve të dimrit. Edhe buxheti në vlerë prej 15 mijë eurove është i vogël për të bërë më shumë në këtë drejtim", ka thënë Reçica.
Ndryshe, u bë e ditur se komuna e Ferizajt në kuadër të subvencioneve në degë të ndryshme të bujqësisë gjatë këtij viti ka ndarë një shume prej 314 mije eurove, ndërsa projekti i fundit që po realizohet në kuadër të këtij programi është subvencionimi i fermerëve që merren me kultivimin e shpezëve. "Me këtë projekt po bëhet përmbyllja e të gjitha subvencioneve komunale për këtë vit", ka thënë Reçica, teksa ka përmendur edhe një risi tjetër që është bërë me rishikim të buxhetit, subvencionimi i kamatave për fermerët e komunës Lidhur me mbjelljet vjeshtore e u bë e ditur se në bazë të planifikimit këtë vit me grurë janë mbjellur 4520 hektar, 110 hektarë me elb, 60 hektarë me thekër dhe390 hektarë me bimë foragjere .Komuna për këtë fazë të gjithë fermerëve u ka ndarë falas preparatet mbrojtëse kundër barojave.
Prerja ilegale e pyjeve dhe qentë endacak janë specifikuara të martën si dy probleme madhore me të cilat komuna e Ferizajt po përballët gjatë këtyre ditëve.