Personaliteti i Dr. Bashkim Kolollit, qysh si fëmijë u brumos me atdhedashurinë, me rrëfenjat e heroizmat e kohës, duke qenë nipi i patriotit në zë, Abdullah Musliu dhe i biri i mësimdhënësit, gazetarit, artistit e mbi të gjitha ferizajasit shembullor, Hajriz Musliu. Pa lënë anash se edhe gjyshja e tij, ishte ndihmëtare e bashkëpunëtore e patriotit në zë, Avdyl Dura, gjersa të papërsëritshmin Tefik Çanga e kishin mik të familjes. Përveç orës si kujtim të të përndriturit Tefik Çanga dhe librit të shenjtë të mbajtur nga patrioti Avdyl Dura, Dr. Bashkimi arriti që pasionin e tij për shkencat humane ta vulos me diplomimin në Fakultetin e Mjekësisë – dega e Dermatovenerologjisë në Universitetin e Prishtinës ku diplomoi më 1980, punën në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, menjëherë pas diplomimit, më pas angazhimi në Klinikën e Dermatologjisë në QKUK – Prishtinë, angazhimi si mjek për dy vite me radhë në Afrikë më 1984 deri më 1986, kthimi në Prishtinë ku punoi në QKUK deri më 1988, magjistratura që përfundoi më 1988 në Zagreb me bashkëpunimin me doktorët eminentë si Prof. Dr. Aleksej Kansky dhe Prof. Dr. Ivan Dobriç, e pas vitit 1991 mërgimi në Zvicër ku edhe atje zhvilloi punën profesionale në disa klinika kantonale në këtë shtet, për tu rikthyer me qëllim rimëkëmbjen e Klinikës së Dermatovenerologjisë në QKUK në Kosovën e pasluftës më 1999-2001, si drejtor i parë i kësaj klinike, gjersa më 2015-2016 zhvilloi praktikën private psikiatrike deri në pensionim në Zvicër.
Dr. Bashkimi, i shpallur qytetar nderi i Fribourg-ut, kontributin e tij në lëminë e mjekësisë përveç punës profesionale e dha edhe me punime e pjesëmarrje në konferenca të shumta shkencore vendore e ndërkombëtare, pa lënë anash edhe faktin se në rininë e tij, pasioni i tij, përveç mjekësisë, ishte edhe basketbolli, çka u shqua si basketbollist në Ferizaj.
Tash në pension, Dr. Bashkimi, i realizuar profesionalisht, i përkushtuar në familjen e tij që e përbëjnë bashkëshortja Merita, vajza Rina dhe djemtë Rroni dhe Shendi, me veprën e tij, paraqet një vlerë të shoqërisë ferizajase në përgjithësi, e shkencave mjekësore në veçanti.