Sot u përurua vepra murale “Çast”, një iniciativë e Fondacionit Jahjaga, e realizuar në shtatë qendrat rajonale të Kosovës, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ish Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqësia e Saj, znj. Atifete Jahjaga, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Shkëlqësia e Tij, z. Jonathan Hargreaves, si dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe infermierë.
Vepra artistike, me autore artistet e Mural Fest, Rema Salihu dhe Elba Gashi, përcjell një mesazh të fuqishëm kujtese, dinjiteti dhe solidariteti me të mbijetuarit, duke vlerësuar qëndrueshmërinë dhe kontributin e tyre në historinë e Kosovës.
Me moton “Sakrifica e tyre, themeli i lirisë sonë!”, u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe mbështetjes së vazhdueshme për të mbijetuarit.
Me këtë rast u shpreh edhe mirënjohje për ish Presidenten Atifete Jahjaga për këtë iniciativë të rëndësishme, së cilës shumë institucione dhe partnerë iu bashkuan me përkushtim.