Numri një i DKA-s në Ferizaj ka vënë theksin në testet e mbajtura këtë vit, duke thënë se shkollarët e Ferizajt si në testin e maturës shtetërore ashtu edhe atë të arritshmërisë kanë shënuar ngritje krahasuar me rezultatet e testeve të një viti më parë, ndërsa ka thënë se instalimi i frymës mobilizuese tek mësimdhënësit dhe reduktimi i mungesave shihen ndër faktorët esencial që i kanë kontribuar ngritjes së suksesit.
"Në testin maturës shtetërore është arritur lartësia prej 48.19 për qind, për 15 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa pjesa e dytë e testit që do të mbahet gjatë gushtit dhe shtatorit vetëm sa do ta rris këtë përqindje. Ndërsa në testin e arritshëmrisë kemi një ngritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar" ka thënë Berisha.
Lidhur me regjistrimin e nxënësve në klasa të dhjeta, drejtori Berisha ka nënvizuar se ky proces ka rrjedhur mirë në afatin e parë dhe në shkolla të mesme përafërsisht dihet numri i nxënësve të pranuar dhe vendet e lira që kanë mbetur të plotësohen në afatin plotësues.
Sipas të dhënave, në disa drejtime në shkolla të mesme janë plotësuar vendet, si në shkollën e mesme ekonomike "Faik Konica", ndërsa vende të lira aty-këtu, ku më shumë e ku më pak, nëpër drejtime të caktuara kanë mbetur ende pa u plotësuar. Drejtori Berisha ka thënë se vende të lira përfshirë drejtimet e këtyre shkollave dhe atyre të shkollave profesionale ka edhe për 803 nxënës, përderisa 1506 nxënës tjerë janë konfirmuar se janë pranuar mbështetur në kriteret e MASHT-it.
"Presim që në afatin e gushtit edhe këta nxënës të përfshihen në paralelet që duhet të plotësohen" ka thënë drejtori Berisha, për të shtuar se asnjë nxënës nuk do të mbetet jashtë bankave shkollore.
Edhe kësaj radhe, sipas drejtorit të DKA-s, shkollat profesionale nuk kanë joshur nxënësit, sado që këto shkolla ofrojnë drejtime dhe profile shumë më me interes, të cilat nxënësve në një mënyrë do t’u krijojnë mundësi për të depërtuar më lehtësisht në tregun e punës.
"Mbetet t’i informojnë nxënësit dhe prindërit, por edhe institucionet se ku nxënësit mund të kenë sukses që nesër me një diplomë të shkollës të konkurrojë për ndonjë profesion. Jo të gjithë nxënësit mund të orientohen për studime, prandaj nevojitet një bashkërendim për një vetëdijesim të prindërve dhe nxënësve. Unë besoj se ende po vuajmë prej një sindromi të viteve të mëhershëm ‘në gjimnaz me çdo kusht’ pa pasur suksesin çfarë kërkohet" ka nënvizuar Berisha. Drejtues të arsimit ferizajas nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të organizohen praktika profesionale, përmes vizitave që do t’u bëjnë filloristët punëtorive të shkollave profesionale, për t’u njohur me profilet dhe mundësitë që ofrojnë këto shkolla.
Një takim që ka mbajtur drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Berisha me drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme të Ferizajt, ka shënuar praktikisht përfundimin e vitit mësimor 2011/12. Drejtori Berisha ka thënë pas takimit se është analizuar ecuria e procesit mësimor dhe edukativ gjatë këtij viti, duke vlerësuar se janë shënuar rezultate inkurajuese, por të njëjtat kanë mundur të jenë edhe më të larta.