Janë përmbyllur dëgjimet publike për Planin Zhvillimor Komunal, një proces që gjatë një jave u dha mundësi qytetarëve të shprehin kërkesat, shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me draftin e parë të këtij dokumenti të rëndësishëm për zhvillimin e komunës.
Drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, tha se kontributi i qytetarëve është i rëndësishëm për përmirësimin e dokumentit dhe për hartimin e një plani që i përgjigjet sa më mirë nevojave të komunitetit.
“Kontributi i qytetarëve do ta pasurojë edhe më tej dokumentin dhe do ta afrojë atë me kërkesat dhe nevojat reale të qytetarëve. Synimi ynë është që në fund të kemi një Plan Zhvillimor Komunal me standarde sa më të larta dhe që garanton një zhvillim të qëndrueshëm të komunës sonë”, u shpreh Bytyqi.
Gjatë dëgjimeve publike, qytetarët patën mundësi të adresojnë çështje të ndryshme që lidhen me planifikimin dhe zhvillimin hapësinor të komunës.
Bytyqi ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë, ndërsa një falënderim i veçantë iu është drejtuar edhe anëtarëve të Kuvendit Komunal që morën pjesë në këto diskutime.
Në fund, drejtori i Urbanizmit ka ftuar qytetarët, akterët politikë, profesionistët e fushës, organizatat qeveritare dhe joqeveritare që të vazhdojnë të kontribuojnë me propozime konkrete, në mënyrë që dokumenti final të jetë sa më cilësor, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me kërkesat qytetare dhe ligjore.