Pikërisht në orën 10.45 një alarm që ngërthente në mënyrë simbolike rrezikun nga sulmet ajrore është dëgjuar në Ferizaj., ditën kur nga sulmet terroriste humbën jetën 3 mijë qytetarë amerikan. OJQ "Etika", Drejtoria Komunale për Kulturë të mbështetur nga shoqata "Miqtë e Amerikës" kanë qenë organizatorë të këtyre manifestimeve të përvitshme që mbahen në Ferizaj, në qytetin që frymon shumë afër bazës më të madhe ushtarake amerikane "Bondsteel".Me këtë rast Elira Tahiri, aktiviste vullnetare e Qendrës së Kulturës në Ferizaj tha se aktivitete e organizuara në këtë ditë u kushtohen viktimave që humbën jetën në këtë ngjarje makabër, e cila tronditi botën demokratike.
"Ka qenë iniciativa më shumë e vullnetarëve të Qendrës së Kulturës dhe me këtë dëshirojmë të shprehim fuqishëm përkrahjen për ShBA-n dhe popullin amerikan, pas gjthë të mirave që ata kanë bërë për ne. Në këtë ditë ne jemi pranë popullit amerikan dhe lutemi për shpirtërat e viktimave të kësaj ngarjeje" ka thënë Tahiri,
Në hyrje të ndërtesës së Kuvendit Komunal, flamujt ishin vënë në gjysmështizë, ndërsa himnin amerikan e ka interpretuar këngëtarja Beltina Byqmeti. Më pas bendi me instrumente frymore nga Kampi Bondsteel ka shfaqur një koncert, i cili është ndjekur me vëmendje nga qytetarët e Ferizajt.
Nënkoloneli Daneiel Stark, komandant i LMT-ive për sektorin e Lindjes ka falënderuar kryetarin e Ferizajt dhe miqtë kosovarë, siç ka thënë, për këtë ceremoni përkujtimi të organizuar në 10 vjetorin e sulmeve terroriste ajrore që ndodhën në Amerikë.
"Që prej sulmeve ajrore të para dhjetë vjetëve shumëçka në botë ka ndryshuar, por një gjë nuk ka ndryshuar. Nuk kanë ndryshuar marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe Amerikës.Dhe ndajmë përkrahje, ndajmë eksperienca të ndryshme poashtu dhe shoqërinë dhe dëshmi për këtë është dita e sotme, të cilën janë duke e përkujtuar miqtë tanë kosovarë këtu" ka thënë eprori Stark.
Gjatë ditës së diel kanë vazhduar edhe aktivitete tjera në kuadër të shënimit të kësaj dite përkujtimi dhe të lutjes për shipërtërat e viktimave. Është hapur një ekspozitë me fotografi të tragjedisë, ndërsa është mbajtur edhe një orë me pjesë dramatike dhe recitale. Aktivitete janë përmbyllur në orët e mbrëmjes me ndezjen e qirinjve.
Më shumë aktivitete edhe në Ferizaj është përkujtuar 11 shtatori i vitit 2001.