Qindra bashkëfshatarë , përfaqësues të organeve komunale dhe nga subjektet politike ishin mbledhur sot për të përkujtuar 16 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve dhe 5 viktimave të vrarë nga forcat serbe. Familjarë të viktimave me dhembje kujtojnë datën 3 Prill te vitit 1999 kur fshati u sulmua nga disa anë dhe pësoi dëme të mëdha nga luftimet që zhvilloheshin.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt,Muharrem Svarqa, ka thënë se 16 vjet më parë, Kosova u përgjak kushedi për të satën herë, me qëllim që popullatës shqiptare të kësaj ane, t’i shuheshin e t’i shkeleshin ëndrrat për liri, pavarësi, jetë të dinjitetshme e mirëqenie normale.
“ 16 vjet më parë, shqiptarët e Kosovës u vunë para një sfide shumë të rëndë e të rrezikshme, e cila u imponua nga ata që synonin të mbisundonin pjesën më të madhe të Ballkanit, duke shtypur popujt më të vegjël. U vumë para rrezikut për ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, përmes dëbimit, vrasjeve e mizorive të panumërta. Por të gjithë e dimë se kjo sfidë u kalua me sukses. Dështoi synimi për spastrimin etnik të këtyre trojeve, dështoi lakmia për mbajtjen me dhunë të këtyre territoreve, e bashkë me to, iku edhe robëria që kishte zgjatur për disa shekuj. Këtu e 16 vjet më parë, pas afro 500 vjetësh, për herë të parë populli rrënjës e vendës, pas vuajtjeve të pafund, u bë i zoti i vetvetes, duke hapur perspektivën për ndërtimin e së ardhmes së vet pa shtypje e shfrytëzim kombëtar e ekonomik nga të tjerët”, ka thënë kryetari Svarqa.
Fshati Gaçkë i komunës së Ferizajt numëron rreth 300 shtëpi me rreth 2 mijë e 300 banorë te cilët përbëjnë në resurs të kënaqshëm natyror material e njerëzor për zhvillimin e komunës por sipas përgjegjësve të fshatit ende nuk ka inkuadrim të mjaftueshëm të gjithë këtij potenciali në ndërtimin e shtetit.
Qindra bashkëfshatarë , përfaqësues të organeve komunale dhe nga subjektet politike ishin mbledhur sot për të përkujtuar 16 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve dhe 5 viktimave të vrarë nga forcat serbe.